Subvencionimi i energjisë elektrike për familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro për anëtar po konsiderohet formë e gabuar nga qeveria.Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se çdo ndihmesë për qytetarët është e nevojshme, por sipas tyre, shteti i Kosovës nuk mund të mbahet me subvencione.
Subvencionet e energjisë elektrike të nevojshme i cilëson pensionisti, Rizah Krasniqi, pasi që sipas tij, kjo do të mundësojë të kursejë gjysmën e pensionit të cilën e shpenzon për të paguar faturat e rrymës.
“Jam i interesuar për ata me na bërë, se më së pakti 25 metra dru i shpenzoj për nxehje edhe prapë nuk po nxehna, ato i kemi kryer rrymën, ujin, bërllokun, këto tri si të marr pensionin qeto i rrij gati… Pensioni është shumë pak, qeveria është mirë të na ndihmojë, unë një kontroll ose të shkoj barna me marrë edhe rrymën, ujin e bërllokun. Mua nuk më mjafton asgjë, mos me ngrënë as mos me pi asgjë, në qoftë se na bëjnë subvencionin mua më shpëtojnë se gjysmë më pak tash… edhe rrymën, edhe e kursej, edhe për shtetin, edhe për veten”, tha Krasniqi.
Pensionisti tjetër, Tahir Mavriqi, i cili ka aplikuar për të përfituar subvencionimin e energjisë elektrike, tha se të gjithë faturat e rrymës duhet t’i paguajë vetë, për çka shprehet se nuk po mund t’i sigurojë të hollat.
“Tani me fatura me i marrë paret, pare nuk po kemi për t’i financuar (paguar) vetë edhe jemi mbet asgjë, shteti deri tash nuk ka ndihmuar kurrgjë, unë kam aplikuar por ai për me bërë këtë efiçiencë për nxehje me ujë kam konkurruar se tjerave i ka dal afati për energji të diellit, por tash po duhet të financohet vetë po tani me i marre paret, ku me i marrë paret, gjithë ato pare” tha Mavriqi për KP.
Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka deklaruar se një formë e tillë e subvencionimit ka ndodhur edhe në vendet e tjera dhe sipas tij, nuk ka arsye që edhe në Kosovë të mos jetë e mirëpritur.
“Këto familje do të ketë ndikim ani pse është vonë le të themi, por gjatë muajve të dimrit kur konsumi është më i madh i energjisë elektrike si shkak i përdorimit të saj për ngrohjen ambientit normal se këto familje do të vërejnë një ndikim, do të ketë përmirësim në gjendjen ekonomike të tyre”, tha Gjocaj
Po ashtu, Gjocaj shtoi se subvencionimi i qytetarëve për faturat e energjisë elektrike është pagesë e cila e do të i kthehet ekonomisë së vendit, ndërsa për KESCO-n është garanci se faturat do t’i paguhen.
Ndërsa, njohësi për çështje ekonomike, Safet Gerxhaliu tha se çdo ndihmesë për qytetarët është e nevojshme, derisa shtoi se shteti i Kosovës nuk duhet të mbahet në këmbë me subvencione.
“Në këtë drejtim duhet të mësojmë që nuk mbahet shteti me ndihma do të thotë subvencionim të rrymës dhe disa produkteve. Është koha kur duhet të mendohet në aspektin afatgjatë, qëndrueshmëria dhe duhet të kemi një plan nga i cili plan Kosova duhet të jetë prodhuese dhe eksportuese e energjisë elektrike dhe jo të jetë e varur nga importi por sidoqoftë është kohë krize e inflacionit dhe çdo ndihmë për qytetarët duhet të duartrokitet”, tha Gerxhaliu.