Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar detaje të reja mbi terroristët e vrarë në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ministri Sveçla ka bërë të ditur se njëri nga terroristët e vrarë nga Policia e Kosovës është turpëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin.
Bëhet fjalë për Bojan Mijailoviq, i cili ishte turpëroj e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
Në postimin e tij, Sveçla ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në këtë sulm terrorist dhe tashmë ekziston edhe lidhja formale e struktorore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.
Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, thuhet në postimin e ministrit Sveçla.
Sipas Sveçlës, politikat e Serbisë nuk kanë ndryshuar që nga koha e regjimit të Millosheviqit.
Krejt në fund, Sveçla ka falënderuar edhe njëherë Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm ditën e diel.
“Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë. Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil”, thuhet në postimin e tij.