Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, do të publikojë nesër në orë 12:00 listën me 26 lojtarët që do të grumbullojë për dy ndeshjet e ardhshme, kualifikuesen për Evropianin me Çekinë në “Air Albania” dhe po në të njëjtin stadium 5 ditë më pas do të zhvillohet miqësorja me Bullgarinë.
Padyshim që i shumëpritur është rikthimi i Armando Brojës, i cili nuk ka veshur fanellën kuqezi që prej nëntorit të kaluar në miqësoren me Italinë në Tiranë dhe interesante do të jetë, sepse sulmuesi i Chelseas do të vihet nën urdhrat e Sylvingo për herë të parë.
Ndërkohë pritet situata e Sokol Cikalleshit, i cili padyshim që do të grumbullohet, por në fundjavë do të shihet nëse do të luajë me ekipin e tij në Turqi.
Ndërkaq, shqetësimet i ka lënë pas edhe Ardian Ismajli, me mbrojtësin që do të jetë i gatshëm për Empolin në fundjavë ndaj Udinezes, shkruan Panorama.
Një tjetër ndryshim nga shtatori është edhe rikthimi i Arbnor Muçollit, i cili po shkëlqen në Suedi me Goteborgun, teksa pritet që një ftesë të jetë rezervuar edhe për Marvin Çunin e Frozinones për herë të parë.