Ka vdekur ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, në moshën 86 vjeçare.
Presidenti, Martti Ahtisaari, i cili mori çmimin Nobel për Paqen për veprën e tij të jetës, ka vdekur.
Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka vdekur të hënën më 16 tetor në orën 6:40 në Helsinki.
Ahtisaari lindi më 23 qershor 1937 në Vyborg dhe ishte 86 vjeç kur vdiq.
Martti Ahtisaari ishte presidenti i dhjetë i Finlandës në vitet 1994–2000.
Në vitin 2008, Ahtisaari, i cili në atë kohë ishte 71 vjeç, u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për karrierën e tij si ndërmjetës për paqen që zgjati më shumë se tre dekada.
Ndërsa një vit më parë, më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd.
Ky propozim ishte edhe nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës. Edhe pse plani u dorëzua, gjatë gjithë kohës mendohej se Martti Ahtisaari do të propozojë pavarësi të kushtëzuar, por pa përmendur fjalën pavarësi.
Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisaari mbërriti edhe në Kosovë.
Sipas Ahtissarit dhe ekipit të tij, synimi i propozimit të gjithanshëm për marrëveshjen mbi statusin e Kosovës ishte të përcaktojë kërkesat e nevojshme për një Kosovë të ardhshme që është e mundshme, e mbështetshme dhe e stabilizuar.