Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa nga ato që i ka quajtur të arritura gjatë dy vjet e gjysmë në qeverisje në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Kurti ka shkruar se gjatë qeverisjes së tij janë arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e tyre mbi 300 zyrtarë publikë.
“Me mbi 1000 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë. Ajo sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Kurti ka shkruar se gjatë kësaj periudhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpërarjes së parave.
“Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë prej 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale, është mbi 90 milionë euro”, ka deklaruar kryeministri.
Ai tutje ka potencuar se janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar.
“Janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit. Deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë. Janë shkatërruar gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave. Vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro”, ka shkruar ai.