Situata në Kuvendin e Shqipërisë është tensionuar pas konfrontimit fizik mes deputetit të Devollit, Bledion Nallbati dhe deputetit të Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj.
Ky i fundit ishte duke folur gjatë kohës që deputetët e opozitës ishin në këmbë, ku bllokuan foltoren.
Gazetarja e Euronews Albania, Raziela Myslimaj raportoi nga Kuvendi kur kujtoi se Sali Berisha kishte paralajmëruar për një skenar të tillë, duke thënë se do të shkonin deri në ekstremitet.
“Në momentin që kryeparlamentarja, Lindita Nikolla ka marrë fjalën dhe ka çelur seancën, ka propozuar që të miratohet dhe procesverbali i seancës së kaluar çfarë ka sjellë dhe në rezistencën e deputetëve të opozitës të cilët janë çuar dhe kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe më pas një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike, siç ka qenë kreu i grupit parlamentare, Bardhi së bashku me Bledion Nallbatin, deputetin e Partisë Demokratike në zonën e Devollit kanë debatuar dhe me deputetët e Partisë Socialiste, konkretisht me Vullnet Sinajn i cili ka marrë fjalën që të fliste.
Ka qenë Nallbati i cili është afruar pranë ulëses së tij dhe ka fikur mikrofonin pasi pavarësisht rezistencës së opozitës, Sinaj po vazhdonte të mbante fjalën me një zë pak më të lartë në mënyrë që të dëgjohej. Nallbati ka mbyllur mikrofonin e tij e më pas e ka shtyrë duke u konfliktuar dhe duke e goditur këtë të fundit me grusht. Ka pasur ndërhyrje dhe nga ana e deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste e Demokratike” – u shpreh Myslimaj.