Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij tha se ai është i gatshëm që të mbajë burgun në vend të Jakup Krasniqit nëse ky i fundit ka ndonjë faj, duke kërkuar që ai të lirohet në shtëpi.
Halitjaha këtë deklaratë e bëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.
“Zot gjykatës një minutë, desha me thënë që mos ta ngarkojmë më shumë gjykatën me këto zvarritje të mëdha. Dua të flas për Jakup Krasniqin, nëse Jakup Krasniqi ka bërë gabime, ka mundësi çdo njeri, engjëll kërkush nuk jemi, po nëse ai ka ba faje unë krejt do t’i marrë përsipër veç ndërronaj deklaratat-vendimet, m’i jepni mua, unë e mbajë burgun e Jakup Krasniqit, le të shkon në shtëpi”, tha Halitjaha.
Ndryshe, mbrojtja e Rexhep Selimit ka mbaruar pyetjet për dëshmitarin ndërsa, pas kësaj deklarate atë ka filluar që ta marrë në pyetje mbrojtja e Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagendra.
Urdhërohet riklasifikimi i provave të pranuar nga dëshmitari Gjergj Dedaj në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe të tjerëve
(Përditësuar, ora 15:50)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) është bërë riklasifikimi i disa provave të cilat janë pranuar nga dëshmitari me kodin 03825, si prova materiale publike në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ky urdhër është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III. Ndërsa, në këtë çështje, kodin e tillë e mbante dëshmitari Gjergj Dedaj.
“Lidhur me riklasifikimin e provave të caktuara materiale të cilat i janë parashtruar në kuadër të dëshmitarit 03825. Trupi gjykues është informuar që palët janë pajtuar ndërmjet tyre “interpartes” që provat materialet të caktuara të pranuara nga dëshmitari 03825 mund të riklasifikohen si prova materiale publik, kështu që trupi gjykues urdhëron që provat materiale P681, 682, 683, 84, dhe 86 të riklasifikohen si prova materiale publike”, tha gjyqtari Smith III.
Ndryshe, dëshmitari Sadik Halitjaha është duke e vazhduar dëshminë e tij si dhe në pyetje është duke e marrë mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokati Geoffrey Roberts./ Betimi për Drejtësi