Java e ardhshme në Bruksel do të jetë e rëndësishme për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndër temat kryesore në Samitin e kryetarëve të Qeverive dhe shteteve, i cili zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor, do të jetë edhe procesi i zgjerimit.
Atij takimi do t’i paraprijë një takim i ministrave të çështjeve evropiane të vendeve anëtare, të cilët duhet të miratojnë konkluzionet për politikën e zgjerimit për secilin vend kandidat individualisht. Pas kësaj, ata duhet t’ua përcjellin për miratim udhëheqësve të shteteve anëtare.
Në kuadër të draftit të atyre konkluzioneve, siç raporton Euronews në gjuhën serbe, ndër të tjera, kërkohet ndryshimi i kritereve për kapitullin 35 që ka të bëjë me marrëdhëniet me Kosovën.
Përkatësisht, konkluzioni i fundit, i cili i referohet Serbisë dhe politikës së zgjerimit, flet për këtë amendament të kapitullit 35 dhe në të thuhet saktësisht se Këshilli kërkon nga Komisioni dhe përfaqësuesi i lartë që urgjentisht t’i propozojnë këshillit, para fundit të janarit 2024, masat plotësuese për këtë kapitull.
Sipas këtyre raportimeve, Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i drejtohet Komisionit Evropian me kërkesë “urgjente” që Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin Implementues të saj t’ia vendos Serbisë si pjesë të Kapitullit 35 të negociatave të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ashtu edhe siç ishte zotuar vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri më 19 mars në Ohër kur kjo marrëveshje ishte konkluduar.
Megjithatë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 1 dhjetor deklaroi se nuk mendon se është e mundur që Marrëveshja e Ohrit, në tërësi, të përfshihet në kapitullin 35, sepse, siç tha ai, kjo de facto do t’i mbyllte derën Serbisë.
Në shkurt të këtij viti, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërkaq, aneksi i zbatimit të marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi u arrit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. /Reporteri