Dita e hënë ishte e kobshme për familjen Tofaj nga Juniku. Pronari i fabrikës “Juniku”, Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij u gjetën të vdekur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut, në rrethana akoma të paqarta. Policia tashmë ka nisur hetimet në koordinim me Prokurorinë, që njoftoi se janë disa pista hetimore për ta ndriçuar rastin.
Kështu deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi në një prononcim për gazetën.
“Jemi njoftuar nga Policia e Kosovës mesditën e sotme. Prokurori kujdestar i departamentit të krimeve rënda së bashku me Policinë e Kosovës menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Janë disa pista hetimore dhe po kryhen ekzaminimet e nevojshme”, ka thënë Nikqi për Sinjalin.
Vdekjen e çiftit e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa sipas informacioneve të para, Policia njoftoi dje se shakatar dyshohet të ketë qenë rryma.
“Sot rreth orës 11:30, stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut dy persona kanë vdekur. Njësitet kompetente menjëherë janë nisur në atë drejtim bashkë me mjekun kujdestar. Me të arritur kanë hasur në dy viktima. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë energjia elektrike”, kanë thënë nga Policia për Sinjalin.
Ndërkohë dëshmitarët kanë thënë për Klanin që ka qenë i biri shtatëvjeçar i çiftit që vdiq në Junik ai që i kishte njoftuar familjarët për rastin.