Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në pyetjen nëse BE-ja do të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjen me Kosovën duke e kushtëzuar me anëtarësim në bllok, tha se shtetet anëtare po punojnë në këtë drejtim.
“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, ishte përgjigjja e Stanos. Megjithatë, ai s’u përgjigj nëse kjo do të ndodhë gjatë janarit.
Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së në konkluzionet e miratuara nga Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor.
“Të gjithë e dinë se çfarë ata [Kurti e Vuçiq] duhet të bëjnë dhe ne presim të pranojnë këtë vit si një mundësi e mirë për të filluar që të punojnë fort, jo të diskutojnë formalitete, por të punojnë në substancë”, shtoi Stano.
Ai përsëriti se palët kanë bërë një zotim me Marrëveshjen e Ohrit dhe se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme.