Për gjashtë ditë, një nga vrasësit më monstruoz të klanit famkeq serb, atij të Zemunit duhet të zbarkojë në aeroportin e Sarajevës. Megjithatë, rrethanat në të cilat ai vjen janë të mjegullt, misterioze dhe një skandal i madh është në prag, raportojnë mediat boshnjake.
Më 17 janar, u njoftua ulja e një avioni nga Spanja në metropolin e BeH-së, ku supozohej të jetë një nga vrasësit më të famshëm me pagesë i klanit famëkeq të Zemunit, Sinisha Petriq i njohur ndryshe si Zenica. Ai u bë i famshëm si krahu i djathtë i famëkeqit Luka Bojoviq, i cili kreu vrasje me gjakftohtësi dhe monstruoze nëpër Evropë, transmeton Ballkani.info.
Si i mitur, Zenica u bë anëtar i grupit të vrasësve të Marinka Magda, i cili masakroi 14 persona në Vojvodinë dhe Hungari. Ekipi i Petriqit punoi për Magdën, kështu që në janar të vitit 1994, në vetëm një natë në Suboticë, vranë Milanin, Stanin dhe djalin e tyre Danet Petriqin, i cili në atë kohë ishte vetëm 11 vjeç, si dhe Vera dhe Josip Agatiq.
Magda qëlloi babanë dhe nënën e tij, më pas u shfaq një djalë i vogël, të cilit Sinisha i tha të heshte dhe të fshihej pas krevatit. Pasi i gjetën paratë dhe u larguan, Zenica u kthye dhe e vrau djalin. Kur gjyqtari e pyeti se pse e vrau fëmijën, Zenica u përgjigj: “Isha pak nervoz atë natë”. Ai u dënua me vdekje, por dënimi i tij u ndryshua në 15 vjet burg.
Zenica aktualisht po vuan dënimin në Valencia, ku u arrestua së bashku me Bojoviqin. Bojoviq tashmë është i lirë dhe lëviz lirshëm në Beograd dhe Petriqi së shpejti mund t’i bashkohet. Sipas informacioneve nga media boshnjake, Raport, Zenica ka kërkuar që ai të vuajë pjesën tjetër të dënimit në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që është pranuar nga Gjykata e Qarkut në Banjallukë në rrethana të çuditshme.
Nuk është e qartë pse saktësisht gjykata e Banjallukës e pranoi kërkesën e tij, duke qenë se ajo nuk ka fare juridiksion për këtë çështje. Domethënë, gjykata në Zenicë mund të kishte juridiksion mbi të, bazuar në vendlindjen e tij, sepse Petriq ka lindur në atë qytet, ku edhe e ka marrë pseudonimin. Është interesante se Petriqi nuk kishte vendbanim të regjistruar në Bosnje dhe Hercegovinë. Spanja, natyrisht, nuk e ka problem ta heqë qafe atë.
Sipas vendimit të gjykatës në Banjallukë, Petriq do të transferohet në burgun e Foçës. Ai duhet të shërbejë tre vjet atje, por supozohet se do të qëndrojë për rreth një vit me një sjellje të mirë. Pas kësaj ai do të jetë njeri i lirë.
Një vendim i tillë i gjykatës, mëson Raport, ka alarmuar të gjitha agjencitë e policisë dhe të inteligjencës në BeH, të cilat janë habitur nga vendimi sepse nuk dinin pothuajse asgjë për të.
Pyetja më e rëndësishme është se si është rënë dakord për këtë ‘ekstradim’, në çfarë kushtesh dhe nëse Ministria e Drejtësisë e Bosnjë-Hercegovinës ka ditur për të. Fakt është se për gjithçka është informuar Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës, e cila ia ka përcjellë informacionin OSA-s.
Megjithatë, të dyja institucionet i kanë duart e lidhura, pasi vendimi i Gjykatës së Qarkut të Banjallukës është obligativ. Ajo që shqetëson policinë dhe agjencitë e inteligjencës është se çfarë do të ndodhë me Petriqin pasi të dalë nga burgu, duke qenë se ai njihet si një psikopat për të cilin vrasja e njerëzve është një përshkrim normal i punës.
Është veçanërisht shqetësues fakti që emri i Petriqit figuron në aplikacionin Sky dhe shumë kriminelë nga ajo zonë e shohin atë si një lloj hyjnie. Fakti që shefi i tij Bojoviq aktualisht është i lirë dhe sipas raportimeve të shumta tashmë po mbledh ushtrinë e tij mafioze, është një arsye shtesë që alarmet të bien…