Pas takimeve me kryetarin e Parlamentit të Estonisë dhe presidentin, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur në një takim të veçantë edhe nga kryeministrja e këtij shteti, Kaja Kallas.
Duke falënderuar shefen e qeverisë estoneze për mbështetjen e popullit dhe shtetit të saj ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha proceset, kryetari Glauk Konjufca i bëri një retrospektivë bashkëpunimit ndërshtetëror, nga përpjekjet e shtetndërtimit, zhvillimit shtetëror, e deri te proceset integruese.
Pasi potencoi se Estonia dhe gjithë Evropa kanë sot një rrezik të përbashkët, rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme, kreu i legjislativit ritheksoi se Serbia mbetet ndër të vetmet vende në Evropë që refuzon të bëhet pjesë e sanksioneve anti-ruse.
Kryetari Konjufca ftoi kryeministren e vendit mik të na ofrojë asistimin në fushën e reformave ligjore dhe infrastrukturës zbatuese, me theks të veçantë në arsim dhe teknologji të lartë.
Kryeministrja Kallas ndërkaq garantoi për vendosmërinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjithë sektorët.