spot_img

Hovenier: S’ishim të njoftuar për rregulloren e BQK’së, kjo çështje nënvizon sa urgjent është Asociacioni

spot_img

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i tha RTV21 se Qeveria e Kosovës duhet ta shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Ai tha se as SHBA dhe as partnerët ndërkombëtarë nuk po e kontestojnë autoritetin e Bankës Qendrore dhe as Kushtetutën e Kosovës, por është e shqetësuar me mënyrën se si rregullorja planifikon të zbatohet pas marr parasysh disa realitete.

Ambasadori Hovenier në një intervistë ekskluzive për ”Click” të RTV21 ka folur edhe për ndikimet që do të ketë zbatimi i kësaj rregulloreje në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në.

Hovenier gjithashtu tha se nëse Qeveria e Kosovë nuk i dëgjon këshillat e tyre, është e qartë se Kosova do përballet me ”pasoja në cilësinë e partneritetit tonë”.

Në intervistën për RTV21 Hovenier tha se besojnë kjo qeveri duhet ta miratojë, draftin statutin e Asociacionit dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Intervista e ambasadorit Hovenier për TV21

Ambasador Hovenier, faleminderit shumë që jeni me ne.

Pyetje: Ambasador, me ditë të tëra jeni angazhuar me kolegët e QUINT-it për të sqaruar qëndrimin për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore dhe veprimet e Policisë së Kosovës në disa pjesë të vendit. Po e kërkoni shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore. Por, fjala e fundit i mbetet Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti, që siç u bë e ditur gjatë një takimi ua dha disa dëshmi. A iu bë presion për të ndryshuar mendjen?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se krejt çka mund të bëj është të flas për kërkesën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Para së gjithash, më lejoni të sqaroj disa gjëra. Kërkesa jonë është shumë e qartë. Ne po i kërkojmë qeverisë, jo vetëm unë, ka kërkesa edhe nga Uashingtoni, por edhe kolegët e mi të QUINT-it e kanë këtë pikëpamje, që qeveria tash për tash do të duhej të shtyjë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Po e kërkojmë këtë sepse besojmë që puna parapërgatitore e nevojshme për zbatimin me sukses të saj në mënyrë që të mos ketë ndikim të padrejtë në komunitetet e cenuara – dhe po flasim për komunitetet pakicë, po flasim, ndër të tjera, për komunitetin etnik serb në Kosovë – se puna që duhet bërë, që është dashur të bëhej për të shmangur ndikimin e saj negativ nuk është bërë. Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë. Ne nuk e kontestojmë Kushtetutën e Kosovës. Ne e pranojmë dhe e respektojmë atë. Për hir të Zotit, ne e mbështetëm procesin dhe zhvillimin e tij. Ne nuk i kontestojmë autoritetet e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar sektorin financiar. Në fakt, sërish, qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare për rolin që kemi luajtur në mbështetje të zhvillimit të Bankës Qendrore, Ministrisë së Financave dhe institucioneve të tjera. I mirëpresim përpjekjet e Kosovës, si çdo vend tjetër në botë, për të vënë në zbatim rregulloren, ligjin, procedurat që zvogëlojnë mundësitë për kryerjen e krimeve financiare, si pastrimi i parave, financimi i terrorizmit, gjëra të tilla. Pra, ne nuk kemi problem filozofik që Banka Qendrore të vendosë një rregullore që do t’i përmbushte këto synime. Jemi të shqetësuar se mënyra në të cilën kjo rregullore po zbatohet apo planifikohet të zbatohet nuk merr parasysh siç duhet disa realitete. Dhe këto realitete për të cilat ne besojmë se nuk merren parasysh në mënyrë adekuate ndikojnë drejtpërdrejt në një nga çështjet më të ndjeshme në dialogun bilateral… në dialogun Kosovë-Serbi që ne e mbështesim e që janë veprimet që prekin komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb. Kjo është arsyeja e kërkesave tona.

Pyetje: Por, kjo është një çështje që ka të bëjë me përdorimin e një valute të vetme në një territor të vetëm, siç është Kosova sot. Siç p.sh. e kanë rregulluar edhe vendet e tjera evropiane. Ku qëndron puna? Përse po i kërkoni Kosovës me kaq ngulm për të dhënë më shumë kohë?

Ambasadori Hovenier: Nuk mendoj se është një shpjegim i drejtë i kësaj çështjeje. Çështja nuk është te përdorimi i euros. Çështja është se nuk janë marrë me kohë dispozita që trajtojnë ndikimin e vendimeve. Të jemi shumë, shumë të sinqertë për rastet specifike. Pra, mendoj se i kemi dy shqetësime. Dhe më lejoni t’i sqaroj duke përshkruar raste teorike. Shqetësimi i parë: të themi se keni dikë që ka përfituar ndihmë sociale nga Serbia. Dikush merr pension ose pagesë për nënë vetë-ushqyese ose diçka e tillë. Siç e kuptoj unë, mënyra se si është bërë pagesa e atyre mjeteve, edhe sipas dispozitave të Ahtisaarit, edhe sipas kushteve të pranuara nga Kosova, është pranuar se Serbia ka absolutisht të drejtën për të ofruar mbështetje financiare për komunitetin etnik serb në Kosovë. Siç e kuptoj unë, mënyra se si për një kohë të gjatë është bërë kjo gjë është se janë sjellë dinarë ose para të gatshme në vend dhe individi në fjalë ka shkuar në një lloj zyre postare, bankë apo diçka tjetër dhe i ka marrë mjetet. Këto rregullore të reja e pamundësojnë që kjo të ndodhë. Dhe nuk është punuar fare paraprakisht për të identifikuar mjetet alternative që të mundësohej vazhdimi i pagesës së përfitimeve sociale. Kjo është ajo që na shqetëson. Një pensionist, një nënë vetë-ushqyese, dikush që është i pambrojtur, që llogarit në ato mjetet. Dhe na habit fakti që paraprakisht nuk janë bërë përpjekje për të menduar mirë këtë dhe për të pasur strategji për të lehtësuar çështjen. Shqetësimi tjetër yni ka të bëjë me çështjet praktike. Nuk është sekret që Serbia e mbështet sistemin shëndetësor dhe arsimor në Kosovë. Dhe në fakt, ne kemi punuar tepër shumë dhe besojmë fuqishëm se me kalimin e kohës ato sisteme duhet të integrohen në sistemin e Kosovës, sipas ligjit të Kosovës. Por sigurisht, Serbia do të vazhdojë të ketë të drejtën të vazhdojë të financojë dhe t’i mbështesë ato. Ne besojmë se duhet bërë në një mënyrë në përputhje me ligjet, kornizën e Kosovës dhe në mënyrë transparente për autoritetet e Kosovës. Pikërisht për këtë kemi punuar kaq shumë në dialogun për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse sipas mendimit tonë, ky është mekanizmi që do të vazhdojë të mundësojë ofrimin e këtyre shërbimeve, por në mënyrë që është në përputhje me ligjin, rregulloren e Kosovës dhe që është transparent. Pra, si do të funksionojë kjo sepse deri tani janë financuar nga Serbia? Pra, çka do të ndodhë me këto spitale dhe shkolla? Shqetësohemi se brenda një apo dy javëve mund të ndodhë që të mos ketë më para për të mbështetur operacionet e tyre. Dhe sërish, nuk besojmë se qeveria ka plane të përshtatshme momentalisht për ato fonde të nevojshme që ofrojnë shkollim për fëmijët, kopshtet, për ato fonde që iu sigurojnë të sëmurëve qasje te mjeku apo barnat. Ne nuk besojmë se janë bërë aranzhime për këto gjëra. Dhe, çka kemi kërkuar në deklaratat tona publike është shtyrja e zbatimit për të lënë kohë për të hartuar planet e duhura që shpresojmë se janë reciprokisht të pranueshme nga Kosova dhe Serbia, prandaj ne besojmë se ky diskutim do të duhej të zhvillohet në kontekstin e dialogut të lehtësuar nga BE. Dhe gjithashtu, të ketë edhe një fushatë efektive të informimit publik. Po kthehem te 70-vjeçari im teorik që ka marrë pension. Me sa mund të them, ky person nuk di çfarë të bëjë, si do ta marrë pagesën? A duhet të çelë ndonjë llogari bankare në ndonjë subjekt? Si do të funksionojë kjo? Janë shumë çështje pa përgjigje. Dhe nuk duket se është bërë kujdes i mjaftueshëm për të nxjerrë dispozita për të adresuar këto shqetësime dhe për këtë arsye jemi kaq të fokusuar në këtë.

Pyetje: Pra, ky vendim iu befasoi. Bashkësia ndërkombëtare u befasua me këtë vendim.

Ambasadori Hovenier: Sa e kam kuptuar, vendimi është marrë më 27 dhjetor. Nuk besoj që kemi pasur ndonjë paralajmërim për të. Me dëshirë do të kishim biseduar me qeverinë e Kosovës për sfidat me të cilat përballen. Nëse qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla. Por, që kur u mor vendimi, vazhdimisht ia kemi shprehur shqetësimet tona autoriteteve të qeverisë së Kosovës. Sërish, nuk po kontestojmë autoritetin e qeverisë, autoritetin e Bankës Qendrore, por jemi të shqetësuar për shkak të mënyrës se si Kosova synon ta zbatojë atë që mendojmë se nuk iu përgjigjet apo nuk merr parasysh ndikimin që do të ketë në komunitetin e cenueshëm.

Pyetje: Ambasador, ka pasur reagime ndaj deklaratave tuaja, veçanërisht nga parlamentarët gjermanë dhe britanikë. Ata i kanë quajtur ato të pabalancuara krahasuar me sjelljen e Serbisë. Përse një veprim i qeverisë për të shtrirë kushtetutshmërinë në tërë territorin dhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 siç thotë qeveria e Kosovës, po konsiderohet kaq kundërthënës?

Ambasadori Hovenier: Më vjen shumë mirë që e ngritët këtë pyetje. Pra, së pari, më lejoni të them se kam respektin më të lartë për përfaqësuesit e zgjedhur në çdo legjislaturë dhe mirëpres shqetësimet e parlamentarëve anembanë globit, të cilët ndajnë interesin tonë për ta parë Kosovën duke përparuar në trajektoren evropiane dhe euroatlantike. Ky është një qëllim i përbashkët që e ndajmë të gjithë. Por ajo mbështetje për trajektoret e Kosovës, për përparimin e Kosovës drejt Evropës, drejt institucioneve euroatlantike, ka qenë gjithmonë e kushtëzuar dhe mbetet e kushtëzuar me zotimet që Kosova i ka marrë në kohën e shpalljes së pavarësisë, se do të jetë një shtet demokratik shumetnik. Ky mbetet vizioni i përbashkët. Kështu që vetëm do të them se nuk jam i sigurt se balancimi është mënyra e duhur për të menduar për këtë çështje. Ka shumë çështje të tjera ku balancimi është ndoshta një mjet i përshtatshëm për t’i shtyrë ato përpara. Por, nuk e di se çfarë do të thotë balancim kur kërkoj nga Qeveria e Kosovës që të jetë më e kujdesshme për të marrë parasysh se si do të ndikojnë politikat që i zgjedh në popullatën e cenueshme, veçanërisht çështjen shumë të ndjeshme të komunitetit etnik serb në Kosovë. Dhe të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën se si i zbaton ato politika që të mos i privojë ato nga fondet e nevojshme për arsimin, kujdesin shëndetësor, apo thjesht për jetë. Edhe diçka për çështjen e balancimit. Mendoj se e kuptoj këtë gjë, por vetëm dëshiroj të them se unë jam ambasadori amerikan në Kosovë. Detyra ime është të flas për gjërat që presim që Kosova t’i bëjë, sepse qëllimi ynë është ta shohim vendin duke ecur përpara dhe ndër të tjera, qëllimi ynë është të shohim një zbatim të plotë dhe të tërësishëm të zotimeve që ka marrë Kosova, dhe unë punoj me shumë mund për të shtyrë përpara atë vizion. Por, qeveria amerikane nuk ka qenë e ndrojtur. Nuk më takon mua të flas për Serbinë. Por, ne nuk kemi ngurruar që të flasim për pritjet tona që edhe Serbia të zbatojë në tërësi të gjitha detyrimet që i ka marrë. Ky mbetet qëndrimi ynë. Pra, nuk e ngritët si çështje, por meqenëse disa njerëz janë ankuar për porositë lidhur me Banjskën, më lejoni t’ua përkujtoj se mendoj se ndoshta isha ndër zyrtarët më të zëshëm për atë ngjarje dhe për pritjet e qeverisë amerikane që përgjegjësit për këtë vepër të tmerrshme kriminale të japin llogari. Dhe kjo gjë u theksua sërish nga një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane, Jim O’Brien, Ndihmës-sekretari ynë i Shtetit, hiç më larg se javën e kaluar. Ky mbetet qëndrimi ynë. Personat që e kanë kryer këtë krim duhet të japin llogari. Por kjo në asnjë mënyrë, assesi nuk e mënjanon përgjegjësinë e qeverisë së Kosovës për zbatimin e një vendimi të Bankës Qendrore në mënyrë të tillë që zvogëlojnë sfidat dhe problemet që planet aktuale të zbatimit ua shkaktojnë popullatave të cenueshme.

Pyetje: Ambasador, në një deklaratë të fundjavës ju thatë se veprimet e policisë dhe qeverisë po rrisin pa nevojë tensionet etnike. Më duket si çështja e vendit të licencës më shumë se një vit më parë dhe tash thirrja për të shtyrë kufizimin e vendimit. Mund të ndani me ne ato informacione shtesë që keni se situata mund të përshkallëzohet?

Ambasadori Hovenier: Nuk e di që kam ndonjë informacion shtesë që nuk e kam ndarë. Mendoj se kushdo që e shikon këtë pako të problemeve do të thoshte, nëse një komunitet më parë kishte qasje në fondet pensionale dhe për të moshuarit, për shkollat, në mënyrë që fëmijët e tyre të arsimohen, për spitale dhe klinika shëndetësore që të kenë mundësi për të marrë kujdes mjekësor dhe ilaçe kur janë të sëmurë dhe nëse papritmas qeveria vendos politika dhe veprime që e kufizojnë ose e pengojnë atë, ju do të nxitni komunitetin të reagojë. Unë jam prind, kam rritur katër fëmijë. Nëse qeveria ime do të fillonte të bënte gjëra që do ta bënin më të vështirë për fëmijët e mi të shkonin në shkollë dhe të arsimoheshin ose që të më vështirësonte qasjen te një pediatër, do të isha shumë i zemëruar. Dhe do të ndjeja se qeveria ime jo domosdoshmërish po i kushtonte vëmendje gjërave që drejtpërdrejt më prekin mua dhe familjen time. Pra, nuk kam ndonjë informatë të veçantë këtu. Po flas thjesht si qenie njerëzore. Shumica prej nesh dëshirojmë që familjet tona të jetojnë në kushte të dinjitetit dhe sigurisë, të kenë arsim të mirë, të kenë kujdes të mirë shëndetësor, të kenë parashikueshmëri. Dua që gjyshi im të marrë pensionin çdo muaj. Dhe unë jam më pak i shqetësuar në cilën llogari bankare e merr atë, por shqetësohem më shumë se a ka para për të blerë bukë. Për këtë gjë po përpiqemi të flasim këtu dhe kjo është arsyeja pse jemi kaq të shqetësuar.

Pyetje: A e kuptoi z. Kurti atë që e thatë?

Ambasadori Hovenier: Dua që t’ia lë z. Kurti të flas për z. Kurti. Unë mund të flas vetëm në atë masë për të cilën kam bërë më të mirën që të përçoj shqetësimet e qeverisë sime për këtë zgjidhje, për këtë politikë dhe ne shpresojmë që qeveria e Kosovës do të dëgjojë se çfarë po themi dhe të përshtatë, siç e thashë, se si synon ta zbatojë. Kërkesa jonë është e qartë një shtyrje e zbatimit deri sa të vendoset një strategji e mirë për të zbutur efektet mbi popullatën e cenueshme, dhe unë po flas, përveç tjerash, për popullatën etnike në Kosovë dhe një plan të mirë të informimit publik. Dhe në mënyrë optimale kjo bëhet në një mënyrë që është e pranueshme reciprokisht, prandaj ne duam që kjo të bëhet në dialog. Ky është mekanizmi për të zhvilluar këto biseda dhe për të gjetur rrugë të përbashkëta përpara.

Pyetje: Dhe çka nëse z. Kurti nuk iu dëgjon çka po thoni? Cilat janë pasojat me të cilat e paralajmëruat z. Kurti se do të përballët Kosova? Masa të reja, apo çka?

Ambasadori Hovenier:  E dini, nuk dua të futem në hollësi. Do ta them atë që e kam thënë jo më larg se dje. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Kryeministri e ka dëgjuar nga unë. Ai e ka dëgjuar këtë nga Jim O’Brien drejtpërdrejt në më shumë se një rast. Unë nuk mendoj se dikush ka dyshime për këto shqetësime të Shteteve të Bashkuara apo të partnerëve tanë sepse, përsëri, kishte një deklaratë të QUINT-it. Nuk jemi të vetëm në këtë shqetësim. Në masën që qeveria është e përgjegjshme ndaj këtij shqetësimi mbi një çështje kaq të ndjeshme se si komunitetet pakicë në Kosovë e ndjejnë se po trajtohen dhe në masën që qeveria i përgjigjet shqetësimeve që ata i ngrenë, për të cilat besojmë se janë legjitime, në masën që qeveria është partnere për të adresuar ato, atëherë ka ndikim pozitiv në partneritetin tonë. Në masën që qeveria vendos të mos i marrë parasysh këshillat tona ose të na dëgjojë, është e qartë se ka pasoja në cilësinë e partneritetit tonë. Sikundër e thashë në deklaratën tim dhe sikundër u tha nga Uashingtoni, e dini, kjo ndikon në aftësinë tonë për të qenë avokatë efektivë për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Pyetje: Do ta ndalni?

Ambasadori Hovenier: Ne nuk e duam këtë. Unë dua të jem avokat shumë efektiv për Kosovën. Kam dhënë vite të jetës sime në mbështetjen e trajektores së Kosovës drejt strukturave evropiane dhe euro-atlantike. Unë e besoj këtë. Por unë besoj në atë në bazë të mirëkuptimit që kishim të gjithë për këtë vend, një shtet demokratik, shumetnik dhe sovran. Pra, gjithçka që mund të them është niveli  ku qeveria nuk e bën partnerin për këtë do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë.

Pyetje: Në rregull. Kosova i kërkoi SHBA-së që ta armatos me armatim modern. Kërkesa u bë pas zhvillimeve në Banjskë dhe mundësisë së përshkallëzimeve. Por, kritikat e fundit ndaj Qeverisë në Prishtinë ishin apo janë të fuqishme. A ndikojnë ato në kërkesën e Kosovës për t’u armatosur nga SHBA-ja?

Ambasadori Hovenier: Unë nuk… Unë dua të përcaktoj se cili është pozicioni ynë politik: së bashku me mënyrat e tjera në të cilat kemi dashur ta mbështesim popullin e Kosovës ndërsa gjithnjë e më shumë lëviz drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike dhe ndërsa e konsolidon gjithnjë e më shumë shtetin e tij, ne e kemi mbështetur tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me një qëllim final sipas një plani dhjetëvjeçar për të pasur një forcë të NATO-s të ndërveprueshme, multietnike të mbrojtjes territoriale. Kjo është ajo që ne e mbështesim. Ne ishim të gatshëm ta mbështesim këtë sepse besojmë se derisa Kosova po ndërton dhe mirëmban një forcë të NATO-s të ndërveprueshme dhe multietnike me këtë mision të mbrojtjes territorial kjo e forcon stabilitetin rajonal. Ne mendojmë për bashkëpunimin tonë të mbrojtjes, të trajnimit dhe pajisjes ne e shohim këtë përmes kësaj rubrike. Prandaj ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë përpjekje në lidhje me FSK-në, por mund të them sërish, ato çështje preken nga sa i fuqishëm është partneriteti ynë.  Pres nga Qeveria e Kosovës që të punojë me ne për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin tonë.

Pyetje: Ambasador, pse SHBA-ja dhe BE-ja po kërkojnë që një problem i brendshëm i Kosovës të adresohet në dialogun e lehtësuar në Bruksel? Çështja e përdorimit të valutës nuk është çështje e dialogut, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës?

Ambasadori Hovenier: Mendoj se përgjigja është se ne nuk po flasim për përdorimin e valutës. Ne po flasim për implikimet të zgjidhjeve politike mbi komunitetet pakicë në Kosovë, veçanërisht mbi komunitetin etnik serb në Kosovë dhe çështjet që ndërlidhen me trajtimin, privilegjet dhe statusin e komunitetit etnik serb në Kosovë gjithnjë, që nga fillimi, ishin diçka që e kemi diskutuar në dialog. E them sërish, nuk po i kontestojmë autoritetet, nuk po e kontestojmë Kushtetutën, nuk po i kontestojmë përgjegjësitë dhe autoritetin e Bankës Qendrore, ne po i kërkojmë Qeverisë që të mendoj dhe të punojë me ne dhe me shpresë që të gjejë një rrugë të pranueshme përpara që Serbia të vazhdojë të shfrytëzojë të drejtat që ka për të ofruar mbështetjen financiare për komunitetin serb në Kosovë. Dhe kjo për mua është shumë e qartë si diçka që duhet të sillet në dialog.

Pyetje: Ambasador, me sa e kuptoj, jeni të shqetësuar se një shtet shumetnik është në rrezik?

Ambasadori Hovenier:  Kjo nuk është ajo që thashë.  Por dua të them se është me rëndësi për Shtetet e Bashkuara se duhet të ruhet karakteri shumetnik i kësaj shoqërie dhe të vlerësohet, kultivohet dhe mbështetet. Prandaj presim nga Qeveria që të bëjë gjëra që sigurojnë që të gjitha komunitetet, pavarësisht nga përkatësia etnike, të ndjehen se jetojnë në kushtet e dinjitetit dhe të sigurisë.

Pyetje: Sigurisht. Është thënë se ka urgjencë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Aktualisht me atë që shihet si tension i kohëve të fundit për dinarin serb, a e besoni se zoti Kurti e ka kuptuar mirë urgjencën e themelimit të Asociacionit?

Ambasadori Hovenier: Unë do të hezitoja të them se çfarë është ajo që Kryeministri Kurti e kupton ose nuk kupton. Unë përsëri mund të them vetëm çfarë i ka thënë qeveria e Shteteve të Bashkuara publikisht dhe privatisht, sepse nuk ka asnjë ndryshim në porosinë tonë këtu. Ne besojmë se kjo është çështje e urgjencës dhe rëndësisë si pjesë e Kosovës në përmbushjen e obligimeve sipas marrëveshjes bazike dhe aneksit zbatues dhe si rezultat i marrëveshjeve të mëhershme nga dialogu që prej vitit 2013, Kosova ka përgjegjësi që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ne bëmë përpjekje që ta lëvizim përpara përmes provizioneve të një draft statuti që  erdhi nga Miroslav Lajçak, të cilin e prezantoi së bashku me zyrtarët e lartë të Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA-së. Unë vetëm mund të përsëris atë që kemi thënë për këtë. Ne besojmë se një Asociacion i Komunave me shumicë serbe nuk duhet të ketë pushtet ekzekutiv, duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet  të jetë një shtresë shtesë e qeverisë, por të ketë një rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur adresimit dhe avancimit të interesave të komunitetit serb në Kosovë. Mendoj se kjo çështje e fundit e nënvizon, përsëri, se sa urgjente është kjo, sepse një pjesë e kësaj ka të bëjë me pyetje që lidhen me mbështetjen e Serbisë për sistemin e kujdesit shëndetësor dhe sistemin arsimor. Dhe ato çështje se si do të integrohen në ligjin dhe strukturat e Kosovës, se si operacionet e tyre do të jenë transparente ndaj Qeverisë së Kosovës do të adresohen në Asociacion,  Pra, ka marrë edhe më shumë urgjencë dhe kërkesa e qeverisë sime për Qeverinë e Kosovës është që ta çojë përpara. Ne besojmë se kjo qeveri duhet ta miratojë, disi, draftin statutin e ofruar dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese në një mënyrë që Gjykata pajtohet që i jep asaj juridiksion, kështu që Gjykata më pas mund të zbatojë rishikimin e kushtetutshmërisë së tij, që është një hap i rëndësishëm në këtë proces.

Pyetje: Ambasador Hovenier, a do të përballet Kosova me pasoja të reja nëse nuk zbatohet Marrëveshja për Asociacionin? A nuk mendoni se qeveria në Prishtinë po luan me faktorin kohë; duke pasur parasysh se ka zgjedhje në BE dhe ka zgjedhje në SHBA më vonë këtë vit?

Ambasadori Hovenier: Unë nuk mund të flas për llogaritjet e tyre, unë mund të flas vetëm për urgjencën e kësaj. Mendoj dhe siç tregon situata aktuale, kjo është mjaft urgjente dhe ne do të donim ta shihnim të ketë lëvizur përpara. Dhe nuk e di nëse kam diçka më shumë për të thënë për pasojat nga ajo që kam thënë. Në masën që qeveria është e përgjegjshme për gjërat që ne besojmë se janë të rëndësishme dhe të cilat besojmë se e avancojnë trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, rrit partneritetin tone. Në masën që qeveria nuk përgjigjet kjo ndikon në cilësinë e partneritetit tonë.

Pyetke: Por çfarë, nëse jo?

Ambasadori Hovenier: E dini, ne do të marrim ato vendime kur të vijmë aty. Por nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjigjeshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë.

Pyetje: Keni pasur vështirësi me këtë qeveri në çështje të ndryshme.

Ambasadori Hovenier: Nuk po them më shumë se që tashmë e thashë.

Pyetje: Në rregull. Udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës thonë se kanë arritur të ndryshojnë situatën në terren në veri, duke ndërhyrë dhe zbatuar ligjin. Tani ka një moment tjetër në këtë pjesë. Zgjedhjet për kryetarë të komunave. Pra proces pas procesi. A besoni se do të përfundojë tani?

Ambasadori Hovenier: Unë me siguri shpresoj. Pra, përsëri, ne mendojmë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur nëse ata zgjedhin ta bëjnë këtë. Dhe në lidhje me katër kryetarët e komunave në veri, le të jemi të sinqertë, qeveria e Shteteve të Bashkuara absolutisht e ka pranuar rezultatin e atyre zgjedhjeve si ligjore. Zgjedhjet u mbajtën në përputhje me ligjet e Kosovës, por unë nuk mendoj se cilido prej nesh do të ishte shumë i kënaqur me një zyrtar të zgjedhur me jo më shumë se 4 për qind të votuesve të regjistruar që votuan në ditën e zgjedhjeve. Ky nuk është mandat për ndryshime politike apo edhe të jetë në gjendje të pohojë se përfaqësoni plotësisht zonën elektorale që ju zgjodhi. Jemi të kënaqur që qytetarët e Kosovës kanë vendosur të përdorin një procedurë administrative të paraparë që ata mund të fillojnë procesin, nëse ata zgjedhin ta bëjnë këtë, duke larguar zyrtarët e zgjedhur. Nuk kam asgjë kundër asnjërit prej tyre personalisht, por unë mendoj se ato komunitete ndoshta do të mund të përfitonin nga zyrtarë të zgjedhur që kanë një mandat më të fortë nga elektorati i tyre. Prandaj presim nga Qeveria e Kosovës që të përmbushë përkushtimet që i ka bërë ndaj nesh dhe Bashkimit Evropian për ta lehtësuar këtë proces. Unë e di se jemi në përfundim të një hapi të rëndësishëm që është se peticionet janë nënshkruar, kanë indikacione janë se më shumë se 20 për qind e votuesve të regjistruar me të drejtë vote që i kanë nënshkruar këto peticione, por vetëm Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund ta konfirmojë këtë. Por sapo të ndodhë kjo, është mjaft e rëndësishme që autoritetet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që hapi tjetër të ndodhë pa vonesa. Dhe ne nuk do të jemi shumë të durueshëm. Nëse njerëzit duan të hyjnë në debate të mëdha se kush është përgjegjës për çfarë, realiteti është se hapi tjetër duhet të ndodhë brenda afatit të parashikuar, që mendoj se është 45 ditë. Dhe ne do të kërkojmë nga të gjithë, të gjitha autoritetet në këtë mes, qofshin partitë në opozitë që kanë anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ose qeveria ose nga institucionet e tjera shtetërore që të bëjnë çdo që të mundur për ta lëvizur përpara këtë proces.

Pyetja: Në rregull. A mund t’ju pyes ta them pyetjen e fundit, sado që nuk kam shumë dëshirë të them pyetja e fundit sepse ky është një bashkëbisedim. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës së fundmi kanë thënë se procesi i dialogut i udhëhequr nga Lajçak ka dështuar dhe nuk ka vizion apo strategji. Nëse lexohet saktë, a është dialogu në vështirësi?

Ambasadori Hovenier: Gjëja e parë që dua ta them për këtë është kjo duket pak si një çift që është duke u divorcuar. Kush e fajësoi priftin që i martoi? Nëse ka diçka që po ndodh dhe dialogu nuk ishte plotësisht i suksesshëm besoj se ka shumë më tepër për të bërë me vullnetin politik të vetë palëve se sa cilido lehtësues apo vend që bën përpjekje për të mbështetur lehtësuesin, që në këtë rast është Miroslav Lajçak dhe Bashkimi Evropian. Besoj se ka vizion dhe ka rrugë përpara. Nga perspektiva ime është shumë e qartë, ne kemi një marrëveshje shumë të mirë të arritur në muaj shkurt të vitit të kaluar dhe një aneks të zbatimit shumë të mirë të arritur në Mars të vitit të kaluar. Theksi duhet të jetë për të dyja qeveritë që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre sipas këtyre marrëveshjeve dhe për të mos shpenzuar aq shumë kohë duke u shqetësuar për atë se çfarë po bën tjetri. Dhe duke vepruar në këtë mënyrë secili do të avancojë të ardhmen e tyre Evropiane dhe euro-atlantike, që është ajo që ne duam ta shohim.

NGJARJE TË TJERA

spot_img