Granit Xhaka po e udhëheq Bayern Leverkusenin drejt titullit të kampionit. Edicionin e kaluar shkëlqeu tek Arsenali dhe po vazhdon me formë të lartë edhe në Bundesligën gjermane. Në moshën 31-vjeçare ai po kalon formën ndoshta më të mirë në karrierë.
Xhaka padyshim se është njeriu kryesor te skuadra e Bayern Leverkusenit që po shkon shumë sigurtë drejtë titullit kampion në Bundesligë.
Xhaka së fundi foli gjatë në një intervistë për gazetën zvicerane, “Blick”, ai tregoi për formën e tij të lartë dhe atmosferën në grup.
“Kur gjërat ecin mirë ka gjithmonë kënaqësi. Por po ashtu kishte momente që nuk ishin të mira. Por, gjithnjë i kam kaluar këto faza. Më kanë bërë edhe më të fortë. Unë nuk po bëhem më i ri. Por, nuk po bëhem as më i vjetër. Të paktën kështu po ndihem”, ka thënë Xhaka duke qeshur.
Ai ka thënë se është në topformë në aspektin fizik dhe mental. Dhe po ashtu nuk po pëson lëndime. Ka thënë se kjo nuk arrihet vetë. Ka përmendur përkrahjen nga ekipi, klubi dhe familja. Mesfushori ka dy vjet që nuk është lënduar.
“Tani jam shumë më profesional. Gjërat janë më ndryshe se kur isha 19 apo 20-vjeçar. Tani ushqehem ndryshe, fle ndryshe. Ndonëse kam dy fëmijë, fle më mirë, jo më keq. Janë gjëra të vogla që i kam ndryshuar”, ka thënë Xhaka.
Ai ka folur më shumë për ushqimin.
“Kam pasur një vakt të pashëndetshëm në javë. Tani ndoshta e kam një në muaj. Gjithnjë më kanë thënë se sa më i vjetër që je duhet të punosh më shumë për vete dhe atë në mënyra të ndryshme. E kam pranuar shpejt këtë dhe e kam zbatuar. Po ashtu fle me më pak stres, sidomos para lojës, pasi nuk jam nervoz si në të kaluarën. Fle i qetë edhe një natë para ndeshjeve të mëdha. Adrenalina është ende aty, por nervozizmi jo”.
Xhaka ka treguar se ka pesë apo gjashtë vjet që bën ushtrime personale në shtëpi para stërvitjes me skuadrën. Ai ka refuzuar të thotë se Leverkuseni do ta fitojë titullin, me gjithë faktin se është shkëputur nga Bayerni. Ka përmendur sërish rastin e Arsenalit që vjet kishte epërsi ndaj Manchester Cityt, por më pas mbeti duarthatë.
Sipas Xhakës, askush në zhveshtoren e Leverkusenit nuk flet për titull të kampionit.
“Të fitoj titullin për këtë klub pas më shumë se 30-vjetësh do të ishte diçka e veçantë. Kur e bëra këtë hap ishte dëshirë e imja ta fitoja titullin në Gjermani. Për fat të keq nuk kam fituar Premier Leaguen me Arsenalin. Por e kam fituar kupën FA dy herë”, ka theksuar Xhaka në intervistën e gjatë për mediumim e fuqishëm zviceran.
Serinë prej 32 ndeshjeve pa humbje të Leverkusenit, Xhaka e ka shpjeguar me punën e madhe dhe cilësore në stërvitje. Ai ka thënë se nuk mendon për klube të tjera dhe se është i fokusuar te Leverkuseni. Xhaka ka folur edhe për trajnerin Xabi Alonso. Ka thënë se nuk ka shkuar në Leverkusen vetëm për shkak të tij.
Ka thënë se Alonson e bën të veçantë personaliteti i tij.
“Kur të thotë diçka ti i beson. Dhe duket që bën kilometra më shumë se çdo lojtar në stërvitje. Ndonjëherë dëshiron të godasë topin dhe të bëjë krosime me ne. Përkushtimi i tij, dëshira për t’u bërë më i mirë, është i jashtëzakonshëm. Kur e sheh atë tërë javën, nuk befasohesh që jemi kaq të suksesshëm si ekip”, ka thënë Xhaka.
Ai ka folur edhe për Zvicrën. Ka thënë se prej që i është bashkuar përfaqësueses nuk kanë pasur fazë më të dobët se në vjeshtë.
“Por kjo mund të na bëjë edhe më të fortë si ekip dhe si grup. Jam i bindur që do të shfaqim fytyrë tjetër në dy miqësoret në mars dhe më pas në Kampionat Evropian”, ka theksuar lideri i Zvicrës. Ai nuk ka shpjegim se pse kampanja kualifikuese e Zvicrës për “Euro 2024” shkoi keq, ndonëse në fund u sigurua kualifikimi.
Sipas Xhakës, kalimi i grupit është synim i Zvicrës në Evropian, ndonëse grupi është i fortë. Zvicra është në Grupin A së bashku me Gjermaninë, Skocinë e Hungarinë. Xhaka ka mohuar se ka konflikt me selektorin Murat Yakin, ndërsa ka thënë se harmonia te Zvicra është e duhura.
Duke folur për kalimin nga Arsenali te Bayer Leverkuseni, Xhaka ka theksuar se shumë e akuzuan që ishte hap prapa.
“Por unë asnjëherë nuk e pashë kështu. Kam pasur shtatë vjet të shkëlqyera në Londër, por kam ndier që më duhet një sfidë e re, ndonëse ende kisha kontratën. Ka pasur njerëz që ishin kundër, por unë e kisha të qartë se do ta bëja këtë. Gruaja ime ishte kundër në fillim. Ka pasur shkrime se ajo ishte arsyeja pse kam dashur të kthehem në Gjermani, por nuk ishte kështu”, ka treguar Xhaka.