Profesori i Universitetit, Johns Hopkins në SHBA, Edward Joseph ka komentuar bisedën e fundit në mes të presidentes Vjosa Osmani me Ndihmës Sekretarit amerikan James O’Brien.
Joseph ka vlerësuar se pas kësaj bisedë është momenti që presidentja Osmani të bëjë vizitë në Shtëpinë e Bardhë.
“Në bisedën e tyre, O’Brien dhe Osmani dërguan secili një sinjal të fortë për rreshtimin SHBA-Kosovë në çështjet kyçe. Në një moment të rëndësishëm të marrëdhënies së tyre, është koha të vendoset në tryezë një vizitë në Zyrën Ovale për Presidenten Osmani”, ka shkruar Joseph në “X”.
Presidentja Osmani ka bërë të ditur se me zyrtarin e lartë amerikan kanë diskutuar për partneritetin me SHBA-në dhe hapat e mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.
”Një telefonatë produktive me O’Brien sot. Theksova rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Ne diskutuam gjithashtu hapat e Kosovës për anëtarësimin në KE dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq Ndihmës Sekretari amerikan, James O’Brein ka thënë se me presidenten Osmani kanë biseduar edhe për përmbushjen e zotimeve që dalin nga dialogu me Serbinë.
“Një bisedë e mirë sot me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Ne diskutuam rëndësinë e zbatimit të rregullave monetare nga Republika e Kosovës në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë komunitetin e pakicës serbe, dhe që palët të përmbushin të gjitha zotimet nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, për Kosovën kjo përfshinë Asociacionin”, ka shkruar O’Brien.