Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka dërguar në mbajtje të dyshuarën që sulmoi dy gazetaret e mediumit “Lajmi.net”.
Përmes një komunikate për media, prokuroria ka njoftuar se pas riintervistimit të dyshuarës për vepral penale “Kanosje” dhe “Lëndim i Lehtë Trupor”, ajo është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në lidhje me rastin, është intervistuar edhe një i dyshuar tjetër.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me sulmin ndaj të dëmtuarave-gazetareve se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe grumbullimit të provave shtesë, si dhe riintervistimit të njërit nga të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., e dyshuar për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas KPRK-së. E njëjta është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa është intervistuar edhe një person i dyshuar i përfshirë në këtë rast. Po ashtu, në këtë çështje penale janë marrë deklaratat e palëve të dëmtuar dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore.” – thuhet në komunikatë.
Ndryshe, dy gazetaret Lindita Berisha dhe Fjolla Hyseni u sulmuan dje derisa po kryenin punën e tyre në terren.