Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një video nga vizita që i bënë sot bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vilës së konfiskuar të kreut të grupit terrorist në veri, Milan Radoiçiq.
Ministrja Haxhiu, tha se dje “publikuam dokumentin e listës se aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Radojçiq, sot nga afër dhe konkretisht pamë luksin në të cilin ka jetuar ky kriminel”.
“Kjo është jeta e një terroristi që për vete bën jetë prej milioneri ndërkohë që mjet të funksionimit ka frikësimin dhe kërcënimin e komunitetit ku jeton në mënyrë që t’i shërbejnë atij”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook, të cilit ia ka bashkangjitur videon, transmeton Telegrafi.
Haxhiu tha se “kjo gjë ka ndërruar, qytetarët atje kanë filluar të çlirohen nga ky terrorist dhe grupi i tij që kanë punuar vetëm për veten në shërbim të regjimit në Beograd. Republika e Kosovës nuk trembet nga terrorizimi dhe është garantuese e jetës së qetë për të gjithë qytetarët pa dallim”.
“Jemi shoqëri demokratike dhe me vlera të qarta perëndimore ku terrori, frikësimi, shantazhi dhe ilegaliteti nuk kanë vend”, ka shkruar ajo.
Haxhiu tha sot para mediave se pasuria e konfiskuar e Milan Radoiçiq tashmë është nën pronësi të Ministrisë së Drejtësisë, transmeton Telegrafi.
“Mjetet e konfiskuara janë dhënë për shfrytëzim për policinë e Kosovës. Ndërsa, kemi edhe një aktvendim për disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, njëra ndër to është edhe vila luksoze e cila është konsideruar të jetë e kriminelit Millan Radoiçiq. Tashmë kjo vilë ka të vendosura kamerat e sigurisë, dhe për të përcjellur çdo lëvizje, po ashtu janë edhe policia e cila po qëndron këtu, për të ruajtur këtë pasuri të paluajtshme”, tha ministrja Haxhiu.
Ndryshe, të enjten, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument me listë të gjatë të pasurisë që i është konfiskuar kreut të grupit terrorist serb Milan Radoiçiq, në veri të Kosovës.
Ndryshe, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara ka konfiskuar të enjten dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin e një grupi të armatosur serbësh ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.
Gjatë operacionit janë konfiskuar edhe dhjetëra vetura luksoze, një autoblindë, eskavatorë dhe mjete të tjera.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.