Mosmarrëveshjet dhe konfliktet momentale jo rrallëherë kanë eskaluar në kanosje serioze e përleshje fizike. Palët e përfshira në incidente të tilla futen në sherr me Policinë dhe për pasojë përfundojnë në pranga. Kështu dyshohet se ndodhi edhe të dielën pasdite në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në Ferizaj, sipas Gazeta Sinjali.
Këtë herë, në rast janë përfshirë katër persona, tre në njërën anë dhe një në anën tjetër, pasi ky i fundit i akuzoi ata për ngacmim.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 53-vjeçar i cili u përfshi në përleshje me tre të rinj, pasi dyshonte se ia ngacmuan vajzat, në afërsi të shtëpisë së tyre.
Rasti dyshohet se kishte ndodhur teksa tre të dyshuarit ndodheshin te një autolarje, në afërsi të shtëpisë të dyshuarit tjetër.
Sipas informacioneve të para, të njëjtit i kanë rënë borisë në veturën e tyre, çka u bë sebep që 53-vjeçari të shkonte dhe të përballej me ta. I njëjti kishte dyshuar se vajzat e tij po ngacmoheshin nga tre të dyshuarit, prandaj janë kapur mes vete.
Posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë arrestuar personat e dyshuar dhe janë shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.