Një rast tragjik ka ndodhur në Pejë mëngjesin e sotëm, ku një burrë dyshohet se e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se burri që dyshohet se vrau gruan e tij është Edmond Lajqi, ndërsa viktima Gjyljeta Ukella.
Ky krim që tronditi Pejën dyshohet se ndodhi në banesën e çiftit.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj, i cili njoftoi se i dyshuari është arrestuar.
Trupi i pajetë i viktimës akoma nuk është tërhequr nga vendi i ngjarjes.
Kurmehaj tha se ende s’dihen motivi dhe detajet e tjera.
“Sot rreth orës 08:05 minuta, Policia është informuar për një rast i cili ka ndodhur në rrugën ‘Bill Klinton’ në Pejë. Ekipi mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Vlen të ceket se i dyshuari për rastin është arrestuar dhe ndodhet në mbajtje në stacionin policor në Pejë”, tha Rugova.