Qëndrimin e tij në Berlin, kryeministri Albin Kurti e përmbylli me një takim bilateral me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe energjia ishin çështjet kryesore për të cilat u diskutua, njofton Zyra e Kryeministrit.
“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri e njoftoi ministren Baerbock me suksesin e ankandit të parë diellor prej 100 MW, dhe për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës prej 150 MW”, thuhet tutje në komunikatë.
Më tej, Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt.
Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë.
Ky ishte takimi i tretë në më pak se tri vjet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Baerbock.