Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të hënën në mbrëmje, në rrugën “Ismail Qemali” në Klinë, ku një person u arrestua pasi tentoi t’ua vë zjarrin policëve dhe u fut në sherr. I dyshuari ka përfunduar tashmë në ndalim policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, njësia policore intervenoi në vendin e ngjarjes pasi rasti u denoncua nga babai i të dyshuarit, i cili kërkoi ndihmë si pasojë e veprimeve të të birit. Në bazë të informacioneve që posedon Sinjali, pasi Policia ka zbarkuar në shtëpinë e të dyshuarit, u përballën me një situatë të pazakontë.
45-vjeçari po dyshohet se i ka spërkatur zyrtarët policorë me benzinë dhe tentoi t’ua vë flakën, por të njëjtit arritën që ta vënin situatën nën kontroll dhe e prangosën të dyshuarin.
Sinjali ka mësuar se i dyshuari për këtë rast ështëDriton Krasniqi, i vili është shoqëruar më pas në stacion policor, ku ka vendosur të mbrohet në heshtje.
Gjatë arrestimit të tij, policët kanë pësuar lëndime, për çka kanë marrë më pas trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Pejë.