Skënder Tasholli dhe djali i tij Albion Tasholli janë arrestuar mbrëmë Policia e Kosovës. Babë e bir po dyshohet se shtynë drejt vetëvrasjes biznesmenin, Bashkim Salihun. I njëjti po dyshohet se vrau vetën nga problemet me fajdexhinj, raporton insajderi.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar, vajza e Skënderit, Albiona Tasholli.
Në postimin e saj, thuhet se është e bindur në pafajësinë e babait dhe vëllaut të saj.
“Edhe pse situata e fundit është shqetësuese, unë jam PLOTËSISHT E BINDUR NË PAFAJSINË E PRINDIT DHE VËLLAUT TIM. Jemi të pastër para Zotit dhe do të dëshmohemi të pafajshëm edhe para ligjit. E vërteta, pa dyshim që do të dalë në dritë”
“Ndërkohë që përjetoj presion psikologjik nga mediat me akuza të rreme, betohem se do të vijë dita kur do të ballafaqohem edhe me ju para organeve të drejtësisë!” Gjithsesi, mendoj që nuk duhet të flitet fjala e fundit e para! Sqarimi im i fundit për këtë rast! Po jemi të pafajshëm“, ka shkruar Albiona Tasholli.
Rikujojmë se emri i Skënder Tashollit ishte i njohur edhe më parë nga organet e rendit, përmendej edhe për një rast të fajdes.
Skënder Tasholli së bashku me Nazmi Durakun akuzoheshin për veprën penale “Fajdeja” gjatë vitit 2016.
Aktakuza për rastin ishte ngritur vetëm pastaj, në vitin 2022.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 korrik 2022, thuhet se i pandehuri Skënder Tasholli në fillim të vitin 2016 në Lipjan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndën ekonomike të tani të dëmtuarit A.Gashi, i ka dhënë atij para me fajde.
Sipas aktakuzës, fillimisht i ka dhënë shumën prej 2 mijë euro, me kamatë mujore prej 300 euro e pas pak kohësh i ka dhënë edhe 7 mijë të tjera, dhe kamata tani bëhet në shumën prej 1 mijë euro në muaj, ku prej vitit 2016, në emër të fajdesë nga i dëmtuari ka marrë shumën prej 14 mijë 900 euro dhe i ka mbetur borxh të përgjithshëm edhe 15 mijë euro.
Në dispozitivn e dytë të aktakuzës, i pandehuri Nazmi Duraku thuhet se në fillim të vitin 2016 në Lipjan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke e shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të tani të dëmtuarit Ali Gashi, i ka dhënë atij para me fajde.
Tutje sipas aktakuzës, fillimisht i jep shumën prej 5 mijë euro në kamatë mujore prej 400 euro e më pastaj i ka dhënë edhe 5 mijë euro të tjera, ashtu që në emër të kamatës ka marrë shumën prej 5 mijë e 200 euro dhe i ka mbetur borxh edhe 12 mijë euro.
Me këtë, akuzoheshin se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Përveç kësaj, Tasholli ishte arrestuar edhe para 11 vitesh për armëmbajtje pa leje dhe kërcënim të qytetarëve në qendrën votuese Babush Muhaxherëve.
Skënder Tasholli dhe djali i tij Albion Tasholli tashmë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për rastin detaje kanë dhënë edhe nga Policia e Kosovës.
“Graqanicë / 14.05.2024-07:00. Një mashkull kosovar, ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet pa shenja jete. Njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Lidhur me rastin në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit është bërë bastisja në dy lokacione të ndryshme, ku në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarave meshkuj kosovarë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin”, thuhet në raportin 24 orësh.