Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur fjalimin përmbyllës në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të të gjitha kontinenteve.
Në fjalimin e saj para të pranishmëve Osmani tha se përgjatë historisë, lavdia e njerëzimit është përcaktuar nga guximtarët.
“Këta individë na kujtojnë se triumfet tona më të mëdha nuk vijnë nga fuqia, por nga aftësia jonë për të nxitur shpresën, dhembshurinë dhe unitetin”.
Osmani thotë se agresioni rus ndaj Ukrainës i ka kujtuar popullit të Kosovës vuajtjet e pafundme që sjell lufta.
Presidentja ka thënë se në ato ditë të vështira bota u bashkua për t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës, derisa sipas saj tash është koha që Kosova të bashkohet në përpjekjet për liri për popullin e Ukrainës.
“Në ditët më të vështira për popullin tonë, shtetet demokratike na erdhën në ndihmë duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen e shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet. 25 vite pas Kosova është pjesë e aleancave që po mbrojnë vlerat e lirisë”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka thënë se nuk duhet të këtë afate kohore për të vendosur sovranitetin e Ukrainës.
“Si një vend i shkatërruar nga vuajtjet e luftës, dua të theksoj se ky moment kërkon që ne të qëndrojmë të vendosur, duke u siguruar që angazhimi ynë të mos matet me ditë apo muaj, por në qëndrueshmërinë e mbështetjes sonë derisa të rivendoset sovraniteti i Ukrainës dhe të mbizotërojë paqja e drejtë”, tha ajo, raporton Telegrafi.
“Kjo luftë nuk është vetëm lufta e Ukrainës. Është beteja për vlerat tona të përbashkëta dhe idealet që sot janë nën rrethim, por janë po aq të qëndrueshme sa shpirti i atyre që i mbrojnë. Ne i kemi ofruar Ukrainës mbështetje në të gjitha frontet, nga dimensioni njerëzor deri te ndihma ushtarake”, ka deklaruar tutje Presidentja.
Tetëdhjetë vende të botës kanë bërë thirrje që “integriteti territorial” i Ukrainës të jetë themeli i çfarëdo marrëveshjeje për paqe për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, në një deklaratë të lëshuar në ditën e dytë dhe të fundit të takimit të tyre në një resort në Zvicër më 16 qershor.
Mungesa e Rusisë dhe e Kinës në Samitin për Paqe Globale, që u iniciua nga Ukraina, i ka zbehur shpresat për ndonjë arritje të madhe.
Deklarata përfundimtare thekson se karta e OKB-së dhe “respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit…mund dhe do të shërbjenë si themel për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjate në Ukrainë”.
“Ne besojmë se arritja e paqes kërkon përfshirje dhe dialog mes të të gjitha palëve”, thuhet në deklaratë.
Samiti i 15-16 qershorit ishte kulmi i përpjekjeve të Zelenskyt në 19 muajt e fundit për t’i angazhuar liderët globalë që të ndihmojnë në dhënien fund të luftës më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Zvicra ishte pajtuar të jetë nikoqire e samtit me shpresën se do ta hapte rrugën për një proces për paqe në të ardhmen, në të cilin do të përfshihej edhe Rusia.
Zelensky nuk donte që Rusia të ftohej në samit në këtë kohë.