Donald Trump pranoi nominimin presidencial republikan para një turme në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee dhe mbajti fjalimin e parë që nga atentati në të cilin u plagos në vesh.
“Unë po kandidoj për të qenë president i gjithë Amerikës, jo vetëm i gjysmës së Amerikës, sepse të fitosh vetëm gjysmën nuk është një fitore e vërtetë”, tha Trump, me një ton të papritur pajtues për një ish-president të njohur si përçarës.
Ai gjithashtu përshkroi momentin se si i shpëtoi vdekjes, duke u thënë të pranishmëve se mbijetoi falë “hirit të Zotit të Plotfuqishëm”.
“Dëgjova një bilbil të fortë dhe ndjeva një goditje të madhe në veshin tim të djathtë”, tha 75-vjeçari, duke treguar veshin që e kishte mbuluar me fashë.
“Mendova: “Çfarë ishte kjo? Duhet të jetë një plumb”, pohoi ai, shkruan cnn.
Kur ai i tha turmës se “nuk duhet të jetë këtu”, të pranishmit u përgjigjën “Po, ju jeni!” gjersa u shfaq një fotografi e plagosjes së tij.
Trump lavdëroi agjentët e Shërbimit Sekret që i erdhën në ndihmë dhe nderoi zjarrfikësin e rënë, Corey Comperatore duke i puthur helmetën.
Në momentet hapëse të fjalimit të tij, kur ai pranoi zyrtarisht nominimin e partisë, Trump pati një ton jashtëzakonisht pajtues.
Megjithatë, ai shpejt iu drejtua kritikave ndaj administratës së presidentit aktual, Joe Biden, duke pretenduar se ajo po “shkatërronte” vendin.
Pa asnjë provë, Trump pretendoi se akuzat kundër tij ishin pjesë e një komploti të demokratëve, duke paralajmëruar se Biden do të shkaktonte “Luftën e Tretë Botërore” gjersa situatën në kufirin jugor e cilësuar si një “pushtim” emigrantësh.
Ashtu si gjatë gjithë karrierës politike, republikani ka pohuar se vetëm ai mund të shpëtojë një “komb në rrezik” nga shkatërrimi.
Para fjalimit u shfaq një film për jetën e tij dhe publiku mirëpriti ardhjen e ish-Zonjës së Parë, Melania Trump, e cila iu bashkua familjes së saj në tribuna.
Trump u prezantua nga presidenti i UFC-së, Dana White, dhe më parë folën edhe ish-mundësi profesionist, Hulk Hogan dhe djali i Trump, Eric.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të duhet të zhvillohen më 5 nëntor të këtij viti ndërsa Trump pritet të ballafaqohet me kandidatin demokrat, Joe Biden.