Posta e Kosovës sot ka hapur degën e saj në veri të Mitrovicës. Kjo degë e postës është hapur pikërisht në sheshin “Car Llazar”.
E një numër i vogël i serbëve lokalë, të udhëhequr nga subjekti politik Demokracia Serbe, me brohoritje e fërshëllima, kanë kundërshtuar hapjen e saj.
Gazetarja e Telegrafit, Blinera Mehmeti e cila po qëndron atje bëri të ditur se tashmë të njëjtit janë larguar dhe se çdo gjë aktualisht është duke shkuar në mënyrë të rregullt.
Shefi i Operativës rajonale të Mitrovicës Veriore, Petrit Fejza, tha për Telegrafin se hapja e degës së Postës së Kosovës në pjesën veriore është përcjellë me një protestë nga një grup serbësh prej 5 personave.
Fejza ka thënë se e gjitha kjo ka përfunduar pa asnjë incident dhe se situata vazhdon të jetë e qetë, ndërsa protestuesit janë larguar nga Policia e Kosovës.
Ai është shprehur se situata në këtë pjesë është nën kontroll.
Ndryshe, në hapje të kësaj dege morën pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Përveç kësaj, vlen të theksohet se në Mitrovicën e Veriut po vazhdon hapja e bizneseve kosovare, të cilat deri tani nuk kanë operuar në këtë pjesë të qytetit.
Këto biznese jo vetëm që ofrojnë shërbime dhe produkte të reja për banorët, por gjithashtu ndihmojnë në rritjen e ekonomisë lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.