Funksionalizimi i sistemit të sigurimit publik shëndetësor ka qenë vetëm njëri prej 42 zotimeve që ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2021.
Ligji ekzistues për sigurimin shëndetësor, i miratuar më 2014, nuk është zbatuar kurrë. Arsyetimi kryesor: implikimet financiare. Më 28 gusht 2024, Qeveria e miratoi Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që vuajnë mungesën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor. Përveç në aspekt të cilësisë së shërbimeve, ata dëmtohen edhe nga ana financiare e psikologjike.
Kur një qytetar i Kosovës sëmuret, përveç shqetësimit shëndetësor, atij i shtohet edhe ngarkesa se sa do t’i kushtojë trajtimi.
Mungesa e sigurimit të detyrueshëm publik shëndetësor besohet se i ka dëmtuar të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos shtresat e varfra të shoqërisë dhe grupet e cenueshme, si pensionistët dhe rastet sociale.
Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, tregon për Radion Evropa e Lirë se 20 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk marrin shërbime shëndetësore, në mungesë të mjeteve financiare.
Ai thotë se këta qytetarë “po vdesin në dhimbje”.
Ndërkaq, profesori për politika dhe sistem shëndetësor të Kosovës, Liridon Bllaca, përmend për Radion Evropa e Lirë tri arsye pse sigurimi publik shëndetësor është i rëndësishëm:
Mbron prej rreziqeve financiare, duke mbuluar kostot kur kërkohet trajtim mjekësor;
Lehtëson qasjen në shërbime shëndetësore, mundëson kontrolle rutinë dhe, kësisoj, ndikon në parandalimin e sëmundjeve të dhimbshme e të kushtueshme;
Ofron mirëqenie mendore, duke reduktuar stresin në rast të një nevoje urgjente, sepse ekziston një lloj sigurie.
A është sigurimi shëndetësor barrë për qytetarët dhe punëdhënësit?
Për Bllacën, kjo gjë as nuk do të duhej të diskutohej, pasi që, sipas tij, ky sistem duhet të shihet si investim në shëndet.
Ai nuk pajtohet me pohimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se sigurimi shëndetësor nuk nënkupton që qytetarët do të paguajnë më pak për shërbime shëndetësore.
Sipas Bllacës, “qytetarët paguajnë shumë për shërbime shëndetësore. Qytetarët marrin shërbime esenciale, prandaj për kryeministrin kjo shumë mund të jetë e vogël. Në një Qendër të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, pacienti merr shërbim dhe paguan 1 euro. Por, për një rezonancë magnetike duhet pritur shumë, e për ta kryer në sektorin privat duhet të paguash 100-150 euro, dhe kjo është një shumë e madhe për ekonomitë familjare”.
Edhe Kodra beson se shëndetësia nuk është e lirë për xhepin e qytetarëve, sidomos për grupet e cenueshme.
“Mbi 50 për qind e popullsinë blen ilaçe, shërbimi spitalor shfrytëzohet nën 50 për qind, dhe këto tregojnë më së miri se njerëzit paguajnë shuma të majme parash për t’u trajtuar në spitale private ose jashtë shtetit”.
Mungesa e sigurimit është përmendur edhe në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023, meqë është vlerësuar që “pabarazitë në shëndetësi mbeten një problem serioz” në këtë vend dhe që mungesa e sigurimit po i kushton shumë xhepit të qytetarit.
Në Kosovë ekzistojnë disa kompani private që ofrojnë sigurim shëndetësor, mirëpo nuk dihet se sa qytetarë e shfrytëzojnë këtë mundësi.
Çfarë përfshin sigurimi publik shëndetësor?
Kur të zbatohet, projektligji parasheh që kontributi mujor për një person të jetë 7 për qind e të hyrave – 3.5 për qind të paguajë punëdhënësi dhe 3.5 për qind punëtori.
Kjo nënkupton që një pacient më pas nuk do të duhet të paguajë për trajtim dhe ilaçe, kur të ketë nevojë.
Kodra sqaron se pensionistët dhe rastet sociale do të lirohen nga pagesa, ndërsa për personat e papunë, kryefamiljari do të duhet të paguajë nga 2 euro shtesë.
Sipas Bllacës dhe Kodrës, thelbësor për sigurimin publik shëndetësor është krijimi i Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), licencimi i institucioneve shëndetësore publike, dhe hartimi i listës dhe i çmimores së shërbimeve shëndetësore.
Një Sistem i mirëfilltë Informativ Shëndetësor, mes tjerash, do t’i mundësonte personelit mjekësor të kishte historikun e komplikimeve të kaluara shëndetësore të pacientit, dhe kështu do të mund të rritej cilësia e trajtimit të tij.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka thënë mediave se Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me Bankën Botërore për financimin e planit të veprimit për SISH-in, por se miratimi i tij tani i takon Kuvendit të Kosovës.
Shumë e rëndësishme konsiderohet edhe përfshirja e institucioneve private në listën e ofruesve të shërbimeve.
Në rast të një komplikimi që nuk mund të trajtohet në Kosovë, sigurimi do të duhej të mundësonte organizimin e trajtimit jashtë vendit.
Kur mund të nisë zbatimi?
Përveç procedurave për miratim në Kuvend, Kodra beson se ka edhe shumë ndërlikime tjera që do ta pamundësojnë zbatimin e Ligjit brenda pesë vjetëve të ardhshëm.
Çështja e sigurimit publik shëndetësor është zvarritur nga qeveria në qeveri.
Më 2017, Qeveria e atëhershme pati ndarë 17 milionë euro për fondin e sigurimit, por më vonë i kishte tërhequr ato, për t’i orientuar për pensione të veteranëve të luftës.
Buxheti për sistemin e përgjithshëm shëndetësor për vitin 2024 kap vlerën e 345 milionë eurove. Mbetet të shihet nëse ky buxhet do të rritet në të ardhmen për të mundësuar zbatimin e ligjit.
A do ta rrisë sigurimi cilësinë e shërbimeve?
Po. Kodra beson se kjo mund të arrihet për shkak të ndryshimit të mënyrës së financimit.
“Stafi shëndetësor nuk do të paguhej më në bazë të kualifikimeve, por në bazë të një performance që ofron për shërbimin shëndetësor, dhe ajo do t’i kënaqte më shumë edhe nevojat e personelit shëndetësor, edhe nevojat e pacientëve, sepse do të rritej përkushtimi i personelit ndaj pacientëve, dhe kështu do të avancohej sistemi shëndetësor”.
Ai thotë se institucionet shëndetësore nuk janë shumë llogaridhënëse aktualisht, vetëm për shkak se nuk paguhen në bazë të performancës./Radio Evropa e Lirë/