Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Ndihmës-Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Jim O’Brien.
Ky takim u fokusua në thellimin e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke u përqendruar në fusha kyçe si integrimi euroatlantik, përmirësimi i sigurisë në rajon dhe avancimi i interesave të qytetarëve të Kosovës.
Presidentja Osmani e ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së SHBA-së në proceset e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, duke përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe përpjekjet për forcimin e pozicionit të saj në skenën globale.
“Takimi i radhës me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Takimi mes Osmanit dhe O’Brien-it erdhi në një moment kyç, ku marrëdhëniet ndërkombëtare dhe siguria në rajonin e Ballkanit janë nën vëmendje të shtuar.
Osmani ka theksuar se bashkëpunimi i fortë me SHBA-në mbetet themeli i politikës së jashtme të Kosovës, dhe se ky partneritet do të vazhdojë të kontribuojë në përparimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
E para e shtetit të Kosovës ka marr pjesë edhe në samitin e radhës për Ukrainën, ku ishte i pranishëm edhe presidenti amerikan, Joe Biden.