Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e ka zhvilluar asnjë komunikim me Millan Radoiçiqin që nga viti 2018.
Haradinaj ka thënë se me Radoiçiqin nuk ka zhvilluar asnjë komunikim që prej ditës kur Policia e Kosovës, në kohën e qeverisjes së tij, realizoi një bastisje në banesën e kryekriminelit të Banjskës në vitin 2018.
“Radoiçiq është i ndjekur nga drejtësia e Kosovës nga viti 2018. Pra, Policia e Kosovës në atë kohë, ka rastis që kam qenë kryetar qeverie në atë kohë, por këtë s’e ka bërë qeveria, e ka bërë Policia e Kosovës.. e ka bastisur banesën e tij në veriun e Mitrovicës. Që atëherë, Radoiçiq e ka lëshuar Kosovën. Pra, është i ndjekur nga drejtësia”, ka thënë ai.
“Që nga ajo ditë e bastisjes, kryetari i atëhershëm i qeverisë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj s’ka komunikim me Radoiçiqin të asnjë natyre. Dhe, kushdo që ka çfarëdo të dhëne të këtij komunikimi, e lus qitne, bëni çka të doni”, ka deklaruar Haradinaj.
Haradinaj e ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Kurti “është spiun i Serbisë”.