436 pako me barna pa banderola të Republikës së Kosovës janë gjetur në dy barnatore në Ferizaj.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të Doganës së Kosovës.
Sipas njoftimit Njësia e TASK FORC-ës – Lindje (Dogana e Kosovës dhe Policia) pas pranimit të informatave për posedim të mallrave të kontrabanduara ka kontrolluar dy subjekte (barnatore) afariste në Ferizaj.
Tutje në njoftim thuhet se disa prej produkteve kishin banderola të Serbisë dhe të shteteve të tjera.
“Njësia e TASK FORC-ës në Lindje (e përbërë nga Dogana e Kosovës dhe Policia) në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale.
Pas pranimit të informatave për posedim të mallrave të kontrabanduara janë kontrolluar dy subjekte (barnatore) afariste në Ferizaj.
Gjatë kontrollit të subjekteve janë gjetur produkte farmaceutike (436 pako barna) pa banderola të Republikës se Kosovës, ku disa prej të cilave mbanin banderola të Serbisë dhe të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se vlera e tyre është rreth 4.000 euro.
“Mallrat janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganorë për procedura të mëtutjeshme. Rasti është duke u trajtuar nga njësitet e Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftim