Kandidati për president nga republikanët, Donald Trump, ka thënë se fitorja e tij nuk do të jetë e diskutueshme por se fituesi i zgjedhjeve rrezikon mos të mësohet menjëherë të martën në mbrëmje.
Pak minuta më parë, Trump votoi në West Palm Beach në Florida, nga ku edhe tha se ditën e zgjedhjeve e kanë nisur me një epërsi të madhe dhe se ndihet i sigurt në fitoren e tij.
“Ndihem shumë i sigurt. E kam ndjerë, e dini, ne hymë me një epërsi shumë të madhe sot dhe duket se republikanët janë shfaqur në fuqi. Kështu që do të shohim se si do të dal. Kam zhvilluar një fushatë të shkëlqyer. Ishte ndoshta më e mira nga të treja. Ne dolëm shkëlqyeshëm në të parën. Ne dolëm shumë më mirë në të dytën, por diçka ndodhi. Dhe kjo ishte më e mira, do të thoja që ishte më e mira fushatë që zhvilluam”.
Kandidati republikan pranoi se rezultatet e zgjedhjeve mund të mos dihen të martën në mbrëmje dhe u ankua për fletëvotimet e dërguara me postë.
“Nuk do të jetë as afër. Por do të duhet shumë kohë për t’u certifikuar”, tha ai.
I pyetur nëse ai mund të shihte një botë ku ai nuk shpall fitoren të martën, Trump tha: “Po”.
“Dmth, unë po dëgjoj të njëjtat gjëra që po dëgjoni ju. Po dëgjoj shtete ku jam lart, por ato nuk do të kenë një numër përfundimtar për një kohë të gjatë”, tha Trump.