Në prag të festave të fundvitit, qytetarë të shumtë e të moshave të ndryshme fillojnë me përdorimin e mjeteve piroteknike. Përveç frikës që shkaktojnë zhurmat e forta, përdorimi i këtyre mjeteve në vendet publike ka disa ndikime negative.
Pikërisht për këtë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka bërë thirrje për respektimin e ligjit dhe ka njoftuar qytetarët se përdorimi i mjeteve piroteknike është i ndaluar deri më 26 dhjetor.
Nëse qytetarët i përdorin këto mjete përpara kësaj date, ata mund të gjobiten deri në 500 euro.
“Përdorimi i mjeteve piroteknike është i lejuar vetëm pas datës 26 dhjetor. Shkelja mund të sjellë gjoba deri në 500€. Siguria është përgjegjësia jonë e përbashkët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
MPB ka theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit, duke bërë thirrje që të festohet me përgjegjësi dhe pa shkaktuar shqetësime tek të tjerët.
Përveç përdorimit të mjeteve piroteknike, prodhimi dhe tregtimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike është i ndaluar dhe ndëshkohet rëndë sipas ligjit.
Dënimet për ata që shkelin këtë ligj janë të rënda, duke përfshirë dënime me burg nga 3 deri në 10 vjet.
Nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur për Telegrafin, se nga janari deri më 6 dhjetor, në vend janë importuar një numër i konsiderueshëm mjetesh piroteknike, me një vlerë që kalon 1 milion euro.
Burimet kryesore të furnizimit janë Shqipëria, Kina dhe Turqia.
Ndryshe, përdorimi i mjeteve piroteknike në vitet e kaluara ka shkaktuar një numër të konsiderueshëm lëndimesh, disa prej të cilave serioze, duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.