Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Në mbledhjen e sotme të KQZ-së në rend dite është certifikimi i 17 subjekteve politike me 674 kandidatë”, ka thënë Elezi.
Kujtojmë se javën e kaluar KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Lista e subjekteve politike dhe numri i kandidatëve të certifikuar deri më tani janë: Lëvizja Vetëvendosje me 110 kandidatë, Partia Demokratike e Kosovës me 110 kandidatë, Lidhja Demorkatik e Kosovës me 110 kandidatë, Kosova Demokratik Turk Partisi me 25 kandidatë, Socijaldemokratska Unija me 40 kandidatë, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës me 41 kandidatë, Koalicija VAKAT me 48 kandidatë, Partia e Ashkalinjëve për Intergim me 35 kandidatë, Nova Demokratska Stranka me 46 kandidatë, Jedinstvena Goranska Partija me 29 kandidatë dhe Za Slobodu Pravdu i Opstanka me 12 kandidatë.
Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.