Është dita e tretë që familja Ahmeti ka hapur dyert e mortit, duke pritur ngushëllime për humbjen e papritur të djalit të tyre, Fatlum Ahmeti.
Fatlumi, 36 vjeç nga fshati Peran i Podujevës, ndërroi jetë tragjikisht të enjten pasi kishte shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare për të kërkuar ndihmë shëndetësore.
Derisa ai po merrte infuzion, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të kota, shkruan IndeksOnline.
Të afërmit e të ndjerit dyshojnë se shkaku i vdekjes ishte një sulm në zemër. Megjithatë, trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, që do të përcaktojë shkakun përfundimtar të vdekjes.
Gjatë vizitës së ekipit të IndeksOnline në familjen Ahmeti, të afërmit refuzuan të japin deklarata për mediat, duke nënvizuar se do të presin rezultatet zyrtare të ekzaminimit para se të komentojnë rreth rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Humbja e një të riu në një institucion shëndetësor ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë dhe protokollet e trajtimit në qendrat e kujdesit shëndetësor parësor.
Autoritetet përkatëse kanë konfirmuar nisjen e një hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të siguruar që të zbardhen të gjitha detajet e incidentit.