Pas zjarreve që shpërthyen në Los Anxhelos janë shtuar zërat që bëjnë thirrje që Lojërat Olimpike të vitit 2028 të zhvendosen nga Los Anxhelosi
Lojërat Olimpike iu dhanë Los Anxhelosit në vitin 2017 gjatë një sesioni të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Lima të Perusë, dhe dorëzimi simbolik i flakës olimpike u bë gjatë ceremonisë së mbylljes së Olimpiadës 2024, ku morën pjesë figura të njohura si Tom Cruise, Red Hot Chili Peppers, Snoop Dogg dhe Billie Eilish.
Los Anxhelosi ka organizuar për herë të fundit Lojërat Olimpike në vitin 1984 dhe për këtë event të madh pritet të mbledhë një shumë të jashtëzakonshme parash, diku prej 7 miliardë dollarësh, me rikthimin e pesë sporteve në program.
Megjithatë, kohët e fundit, Los Anxhelosi është goditur rëndë nga zjarret, të cilat kanë përfshirë më shumë se 40,000 hektarë që nga fillimi i tyre më 7 janar.
Sipas ABC News, të paktën 27 persona kanë humbur jetën në disa zjarre, me 82,000 njerëz janë urdhëruar të evakuohen dhe 90,000 të tjerë të paralajmëruar për evakuim.
Zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me zjarret në zonat Palisades, Hurst dhe Eaton, të cilat kanë shkatërruar mijëra ndërtesa në Los Anxhelos.
Me kritika të shumta ndaj kryetares së bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, dhe guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, për menaxhimin e dobët të situatës, shumë figura politike në SHBA kanë kërkuar që Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, të zhvendosë Lojërat Olimpike nga ky rajon.
Në mediat sociale, komentuesi konservator Charlie Kirk deklaroi se Los Anxhelosi nuk duhet të organizojë Lojërat, ndërsa përfaqësuesi i distriktit të katërt të Ohajos, Jim Jordan, ka mbështetur të njëjtin qëndrim.
Në një intervistë për Newsmax, Rob Finnerty pyeti nëse Olimpiada duhet të zhvendoset në një “qytet konservator ku dihet se gjërat do të menaxhohen siç duhet.”
“Unë mendoj se populli amerikan me të drejtë e sheh se si ky shtet po drejtohet keq, si dhe trajtimin e tmerrshëm të këtyre zjarreve nga guvernatori dhe kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit”, u përgjigj Jordan.
Los Anxhelosi do të jetë gjithashtu një nga qytetet mikpritëse të Kampionatit Botëror të Futbollit vitin e ardhshëm, ndërsa stadiumi SoFi është planifikuar të presë edhe Super Bowl-in në vitin 2027.
Sipas “The Independent”, Olimpiada pritet të sjellë 15 milionë vizitorë dhe të zhvillohet në 50 vende të ndryshme në të gjithë zonën, ndërsa janë planifikuar përmirësime të mëdha në sistemin e metrosë së qytetit.
Në raport theksohet gjithashtu se ende nuk ka një vendim nëse Trump ka mundësinë të zhvendosë Lojërat Olimpike në një qytet tjetër të SHBA-së. /GazetaExpress/