Ferizaj ka shënuar fitore në shtëpi me rezultat 2-1 ndaj Feronikelit ‘74 në kuadër të javës së 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Arsim Abazit e ka nisur në mënyrë të përkryer sezonin vjeshtor duke marrë tri pikë me rëndësi jetike para tifozëve të tyre.
Iniciativa që patën ‘Ujqit’ gjatë pjesës së parë bëri që ata të realizojnë dy herë për të siguruar pikët e plota.
Ai që hapi këtë ndeshje ishte sulmuesi në formë Edon Sadriu, i cili realizoi për rezultatin 1-0 në minutën e 21-të.
Vendasit nuk u ndalën më kaq dhe gjetën sërish rrjetën, kësaj radhe përmes Betim Haxhimusës i cili në minutën e 40-të shënoi për 2-0.
Mysafirët ia dolën ta ngushtojnë epërsinë kur në minutën e 80-të gjetën golin përmes Arlind Malokut, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta evituar humbjen.
Me këtë fitore Ferizaj i ikën zonës së barazhit duke u pozicionuar në pozitën e shtatë në tabelë me 23 pikë të grumbulluara.
Feronikeli ‘74 në anën tjetër vazhdon të mbetet e fundit në tabelë me 10 pikë dhe tashmë numëron dy humbje radhazi pas asaj ndaj Dritës.