Në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani u shpreh se sot jemi këtu falë luftës dhe sakrificës tonë.
“Jemi këtu sepse qëndruam e rezistuam, sepse luftuam e sakrifikuam e nuk u përkulëm kurrë para dhunës, para padrejtësisë e mizorive. Jemi këtu sot sepse ia dolëm të ringritemi, ta ndërtojmë e ta forcojmë shtetin tonë dhe falë ushtrisë e policisë që sot parakalojnë para qytetarëve arritëm ta mbrojmë çdo pëllëmbë të shtetit tonë”, tha Osmani.
Komandantja supreme tutje shtoi se historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë.
“Falënderim i përjetshëm për SHBA-të, NATO-n e shtetet evropiane”, tha Osmani.
Presidentja u shpreh se liria jonë është e shenjtë dhe mbrojtja e sajë është detyrë e përhershme.
“Kosova nuk është vetëm një copë toke, është frymë, shpirt dhe mision i përhershëm. Nuk është vetëm një shtet me histori, por simbol i dinjitetit dhe sakrificë të pashembullt për liri. Kushdo që guxon ta vejë në dyshim këtë realitet, le ta dëgjojë zërin e popullit të kosovës sot, Kosova është dhe mbetet atdheu ynë i përjetshëm”, tha Osmani.