Aeroplanë polakë e të vendeve aleate u aktivizuan të martën herët për ta garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake, pasi Rusia kreu sulme ajrore me shënjestra në pjesën perëndimore të Ukrainës.
Lajmin për aktivizimin e aeroplanëve luftarakë e dha Komanda Operuese e forcave të armatosura polake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Hapat e ndërmarrë e kanë për qëllim garantimin e sigurisë në rajonet që kufizohen me zonat në rrezik” – thuhet në një shkrim të publikuar nga Komanda Operuese në rrjetin X.
Tërë territori i Ukrainës ishte nën alarm për sulme ajrore duke filluar nga ora 4 e 50 minuta të mëngjesit, pasi Forca Ajrore e Ukrainës paralajmëroi për sulme ajrore ruse.
Përderisa agresioni rus ndaj shtetit fqinj po vazhdon, komuniteti ndërkombëtar, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara, po bëjnë përpjekje për arritjen e një zgjidhjeje dhe ndaljen e konfliktit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do t’i japë fund shpejt luftës, por aleatët evropianë kanë frikë se një proces i ngutshëm i paqes mund të jetë në dobi të Moskës.
Javën e kaluar, dy delegacione të ShBA-së dhe Rusisë zhvilluan bisedime në Riad të Arabisë Saudite. Në këtë rund bisedimesh nuk ishin të ftuara as Ukraina, as aleatët evropianë.