Muzeu mobil “Luftërat e Çanakalasë”, i cili përmban objekte nga luftërat e Çanakalasë dhe ofron shfaqje digjitale, hapi dyert për vizitorët në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
Ndër vizitorët e parë të këtij muzeu ishin edhe ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, dhe Konsulli i Përgjithshëm të Prizrenit Celal Doğan, të cilët panë nga afër materialet, objektet dhe videot nga periudha e luftës në muzeun e hapur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në qendër të Prishtinës.
Në deklaratën e tij për gazetarët, ambasadori Angılı tha se shumë njerëz nga Türkiye, Ballkani dhe Gadishulli Arabik luftuan së bashku dhe ranë dëshmorë në luftërat e njohura edhe si Beteja e Galipolit.
Angılı tha se turqit, shqiptarët, boshnjakët dhe goranët e Kosovës luftuan krah për krah në këtë luftë.
“Prandaj, më duket shumë e rëndësishme dhe e vlefshme që ky muze i lëvizshëm i Luftërave të Çanakalasë erdhi në Kosovë për t’u takuar me kosovarët fillimisht në Prishtinë, pastaj në Mamushë, Dragash dhe Prizren”, tha ambasadori.
Koordinatori i projektit të këtij muzeu, Engin Karataş tha se ata do të qëndrojnë në Ballkan për dy muaj dhe se do t’i hapin dyert e muzeut, ku do të përpiqen të bëjnë të ndihet shpirti i Çanakalasë, në qytete të ndryshme të shtatë vendeve të Ballkanit.
Muzeu i lëvizshëm viziton rrugët e përcaktuara në kuadër të organizimit që filloi në vitin 2021 në kuadër të projektit të kryer nga Drejtoria e Zonës Historike të Çanakalasë.
Muzeu, i cili u përgatit për ta përcjellë frymën e Çanakalasë te brezat e ardhshëm, përmban fotografi, objekte lufte, artefakte historike të asaj periudhe si dhe shfaqje digjitale.
Ky muze i cili do të vizitojë qytete të ndryshme të Kosovës deri më 19 mars, do ta vazhdojë rrugën e tij edhe në vendet e tjera të Ballkanit.