Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka pritur sot kryetaren e Federatës së Padelit të Turqisë, Shohret Pakish dhe përfaqësues të kompanisë së ndërtimit të fushave sportive, Integral Group, të cilët shoqëroheshin nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Padelit të Kosovës, Jusuf Kika.
“Presidenti Krasniqi duke i njohur mysafirët me zhvillimin dhe të arriturat e sportit tonë, foli për bashkëpunimin e mirë që ka KOK-u me Federatën e Padelit të Kosovës dhe avancimin e këtij sporti në vendin tonë.
Të dyja palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për të masivizuar edhe më shumë padelin në Kosovë, por edhe çështje tjera si përfshirja e padelit në programin e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, që tashmë është punë e kryer, por edhe mundësitë për përfshirjen në programin e LM Prishtina 2030.
Kryetarja Pakish shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me federatën tonë në projekte të ndryshme, me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të padelit“, njofton KOK.