Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në një takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.
Takimi është planifikuar të mbahet nesër, më 1 maj, duke filluar nga ora 08:30 në sallën N-204 të Kuvendit të Kosovës.
“Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarët e Kuvendit do të jenë nga tri partitë që kanë fituar më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët edhe me z. Memli Krasniqi, kryetarin e PDK-së. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes”, thuhet në letrën që Kurti ua ka dërguar liderëve të dy partive opozitare.
Megjithatë, LDK ka refuzuar ftesën për pjesëmarrje. Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar për Indeksonline se as Abdixhiku, dhe as ndonjë tjetër nga LDK, nuk do të marrë pjesë në takim.
“Po, kryetari Abdixhiku ka pranuar një letër nga z. Kurti, mirëpo askush nga LDK nuk do të marrë pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon LDK-së është rezultat i zgjedhjeve dhe nuk është temë për diskutim me ndonjë parti tjetër. Për më tepër, nënkryetarët zgjidhen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje që i takon marrëveshjes politike mes partive që synojnë të formojnë shumicën, dhe LDK tashmë ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka deklaruar Bajrami.