Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin të premten, ku një burrë dyshohet se fillimisht ka goditur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.
Tragjedia ndodhi në një ndërtesë banimi në rrugën “B” në Prishtinë. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se burri ishte 34 vjeç, ndërsa gruaja 30 vjeçare, transmeton Telegrafi.
“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Në vendngjarje janë thirrur edhe ekipet emergjente të cilat kanë konstatuar vdekjen e një personi, mashkull 34 vjeç, ndërsa e lënduara, një grua 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.
Pak orë pas ngjarjes, në media u publikua identiteti i viktimave, burri është identifikuar si dizajneri Festim Isufi, ndërsa bashkëshortja e tij, Rina.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.
Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/