Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të zhvillohet seanca e radhës në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt, një rast që ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Seanca pritet të nisë në orën 13:20.
Para fillimit të gjykimit, ka reaguar vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, i cili ka kërkuar përshpejtimin e procesit dhe ka theksuar dhimbjen që familja po përjeton.
“Sot në ora 13:20 vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridonës tonë. I ftojmë mediat që ta përcjellin seancën. Dhimbja po na shtohet dhe nuk gjejmë asnjë ngushëllim sa herë e mendojmë dhe e shohim se si dy fëmijë të vegjël po rriten pa nënën e tyre. Urojmë që gjykimi të përfundojë shpejtë,” ka shkruar ai në një reagim publik.
Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023 në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, ndërsa po kthehej në shtëpi me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me armë zjarri në qafë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 15 janar 2025 ndaj katër personave të dyshuar për vrasjen: ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava, Kreshnik Kokalla dhe Tom Dodaj.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla kishin planifikuar paraprakisht vrasjen, me marrëveshje që Plava ta kryente krimin në këmbim të 30 mijë eurove që do t’i paguheshin nga Murseli.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në publik dhe në shoqërinë civile, me thirrje për drejtësi dhe transparencë të plotë nga autoritetet gjyqësore.