Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express kanë thënë se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës rreth bllokadës në Kuvendin e Kosovës, nënvizon rëndësinë e procesve kushtetuese.
Nga Ambasada amerikane potencojnë se tashmë është përgjegjësi e liderëve të partive politike për të finalizuar konstituimin e Kuvendit dhe për të formuar një Qeveri të re stabile në pajtim me Kushtetutën.
“Është përgjegjsi e liderëve politikë të konstituojnë Kuvendin dhe të krijojnë një qeveri stabile në përputhje me Kushtetuën”, ka thënë për Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ky zëdhënës ka shtuar se SHBA për gjatë kohë ka përkrahur zhvillimin demokratik të Kosovës dhe mezi pret të punojë me qeverinë e re për të avancuar stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka nxjerrë një vendim që obligon partitë politike të respektojnë frymën e Kushtetutës për t’i dhënë vendit institucionet e reja për një afat prej 30 ditësh.
Kushtetuesja ka specifikuar se e drejta që i jepet partisë më të madhe të dalë nga zgjedhjet për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit nuk duhet të përdoret për të bllokuar proceset. Gjithashtu ka kërkuar nga partitë për të marrë pjesë në votim.
Partitë politike kanë reaguar lidhur me vendimin, dhe pritet të shihet se si do të shkojë seanca e sotme konstituive, e para pas vendimit të Kushtetueses.