Presidenti amerikan, Donald Trump tha të martën se Izraeli “është pajtuar për kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim në Gazë, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse Hamasi do t’i pranonte kushtet.
Dy zyrtarë të administratës thanë se Hamasi ende duhet të pajtohej për marrëveshjen.
Në një postim në Truth social, Trump tha se Katari dhe Egjipti do ta dorëzonin atë.
“Përfaqësuesit e mi patën një takim të gjatë dhe produktiv me izraelitët sot për Gazën,” shkroi Trump.
“Izraeli është pajtuar për kushtet e nevojshme për të finalizuar ARMËPUSHIMIN 60-ditor, gjatë së cilës kohë ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës. Katari dhe Egjipti, të cilët kanë punuar shumë për të ndihmuar në sjelljen e Paqes, do të paraqesin këtë propozim përfundimtar. Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë Marrëveshje, sepse nëse nuk do të përmirësohet – VETËM DO TË PËRKËQENOHET”.
CNN raportoi më parë se zyrtarët e Katarit i kishin paraqitur të martën si Hamasit ashtu edhe Izraelit një propozim të ri për një armëpushim 60-ditor, i cili mbështetet nga administrata Trump, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Propozimi u finalizua pas muajsh përpjekjesh prapa skenave të udhëhequra nga i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, tha burimi. Ai u paraqit në të njëjtën ditë kur Ministri i Izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, vizitoi Uashingtonin për takime me zyrtarë të lartë të administratës Trump.
Propozimi i ri vjen vetëm disa ditë pasi Katari ndihmoi në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit, dhe muaj pasi një propozim fillestar për armëpushim të mbështetur nga administrata Trump për Gazën u refuzua nga Hamasi, shkruan CNN.
Një burim i tha CNN se versioni i ri – mbi të cilin punuan edhe Katari – u përpoq të merrte parasysh shqetësimet e Hamasit me propozimin e mëparshëm. Gjatë armëpushimit, pengjet izraelite do të liroheshin në këmbim të të burgosurve palestinezë, shtoi burimi.
Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi detajet e propozimit, të cilat u raportuan para postimit të Trump në Truth Social.
Trump është planifikuar të takohet të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për të cilin CNN raportoi se po shqyrtonte nëse do të ndiqte një armëpushim apo do të intensifikonte sulmet ndaj Gazës.
Të martën, një zyrtar ushtarak izraelit i tha CNN se Izraeli nuk i kishte arritur plotësisht të gjitha qëllimet e tij të luftës, por ndërsa forcat e Hamasit janë tkurrur dhe janë fshehur, është bërë më e vështirë të synohet në mënyrë efektive ajo që ka mbetur nga grupi militant.
Netanyahu tha të dielën se “janë hapur shumë mundësi” pas operacioneve ushtarake të Izraelit në Iran, duke përfshirë mundësinë e kthimit në shtëpi të pengjeve të mbetura të mbajtura në Gaza.
Trump u tha gazetarëve të martën se do të ishte “shumë i vendosur” në diskutimet me Netanyahun në takimin e planifikuar të javës së ardhshme në Shtëpinë e Bardhë dhe parashikoi se kryeministri donte t’i jepte fund luftës.
“Ai dëshiron. Mund t’ju them se dëshiron. Mendoj se do të kemi një marrëveshje javën e ardhshme”, tha Trump.
Por edhe me një propozim të ri në tryezë, pajtimi për një armëpushim mbetet një sfidë e madhe. Hamasi ka kohë që ka shtyrë për një armëpushim të përhershëm, kështu që është e paqartë nëse do të binte dakord për një armëpushim të përkohshëm 60-ditor.
Hamasi gjithashtu vazhdon të mbajë kërkesën e tij kryesore që lufta duhet të përfundojë dhe se do të duhet të qëndrojë në pushtet, gjë që Izraeli nuk do ta lejojë, tha një burim i veçantë i njohur me çështjen.
Megjithatë, ka pasur disa indikacione se Hamasi është i gatshëm të tregojë njëfarë butësie ndaj qëndrimeve të tij të ashpra, tha burimi.