Pesë emigrantë të paligjshëm janë zbuluar sot pasdite në një kamion me targa vendore në Terminalin Doganor në Ferizaj.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 16:00, njësitë reaguese dhe Hetimet nga stacioni policor në Ferizaj kanë dalë në vendngjarje pas një informate nga zyrtarët doganorë se në një rimorkio dyshohej për praninë e emigrantëve të paligjshëm.
Pas hapjes së bllokadave të rimorkios, u gjetën pesë persona: tre 17-vjeçarë, një 18-vjeçar dhe një 28-vjeçar, të gjithë pa dokumentacion identifikues.
Në lidhje me rastin, është njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë marrë në trajtim të mëtejmë të dyshuarit, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., 38 vjeç.
Policia njofton se rasti po trajtohet si “Kalimi i paligjshëm i kufirit” dhe “Kontrabandim me emigrantë”. Hetimet janë në vazhdim.