Kryetari aktual i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është zyrtarizuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) si kandidat për një tjetër mandat në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 12 tetor.
Zyrtarizimi vjen pas deklaratave të mëhershme të Aliut, ku ai kishte shprehur gatishmërinë për të kandiduar sërish, duke theksuar se ky vendim buron nga besimi i qytetarëve dhe rezultatet e arritura gjatë qeverisjes së tij.
“Ferizajasit e mi të dashur, PO është gjithmonë përgjigjja ime për ju, për më të mirin Ferizaj,” tha Aliu në një deklaratë publike. “Ju më dhatë më të shtrenjtën – besimin tuaj, duke më veshur me nderin e jashtëzakonshëm dhe përgjegjësinë më krenare, t’ju shërbej çdo ditë.”
Sipas Aliut, gjatë mandateve të tij janë realizuar projekte të rëndësishme që kanë kontribuar në zhvillimin dhe transformimin e qytetit. Ai përmendi përkushtimin e ekipit të tij dhe bashkëpunimin me qytetarët si faktorë kyç për progresin e arritur.
“Mbështetja e pamatshme e qytetarëve është dëshmia më e qartë se një qytet mund të transformohet tërësisht,” u shpreh ai, duke theksuar se puna do të vazhdojë me të njëjtin intensitet edhe në të ardhmen.
Aliu gjithashtu bëri thirrje për unitet në prag të zgjedhjeve, duke e përshkruar 12 tetorin si një moment vendimtar për të ardhmen e Ferizajt.
“Energjiplotë, pandalshëm, me punën si dëshmi, mirëpresim 12 Tetorin – fjalën tuaj që buron nga zemra, nga dashuria për Ferizajn,” përfundoi ai.
Agim Aliu mban postin e kryetarit të Ferizajt që nga viti 2017 dhe konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të PDK-së në nivel lokal. Gara për Ferizaj pritet të jetë e ngushtë, me pjesëmarrjen e kandidatëve nga partitë kryesore politike të Kosovës.