Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti në Prishtinë, në një kohë kur vendi gjendet në një ngërç të thellë politik.
Pas takimeve, Sorensen nuk dha detaje për përmbajtjen e bisedimeve, duke theksuar vetëm se vizita lidhet me mandatin e tij për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
“Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si t’i zbatojmë marrëveshjet, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu,” u shpreh shkurt ai për gazetarët.
Vizita e tij vjen në një periudhë të tensionuar politike në Kosovë. Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në shkurt, vendi ende nuk ka arritur të krijojë institucione të reja. Kriza institucionale ka bllokuar proceset politike dhe ka ndikuar edhe në frenimin e dialogut me Serbinë.
Përveç ngërçit në Prishtinë, edhe situata në Beograd nuk është stabile. Protestat e vazhdueshme në Serbi dhe tensionet politike atje kanë kontribuar në stagnimin e dialogut, sipas analistëve të zhvillimeve rajonale.
Bashkimi Evropian ka përsëritur në vazhdimësi thirrjet për të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese, përfshirë atë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Megjithatë, progresi në terren ka qenë minimal.
Vizita e Sorensenit shihet si përpjekje për të ringjallur procesin e dialogut dhe për të ruajtur përfshirjen e BE-së në rajon, në një kohë të pasigurt politike.