Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për ish-drejtorin e Policisë në këtë rajon, Nexhmi Krasniqi, dhe tre persona të tjerë.
Ata dyshohen se kanë detyruar një qytetar që ta shesë përgjysmë më lirë një pronë me vlerë rreth gjysmë milioni euro.
Gjykata njofton se masa e paraburgimit mund të zgjasë deri më datën 04.09.2025 për shkak të dyshimi të bazuar se kanë kryer veprat penale: L.S., XH.S., N.K., dhe R.P., në bashkëkryerje veprën penale Detyrimi, L.S., veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve N.K., veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve R.P., veprat penale: Shmangia nga tatimi , dhe Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Gjykata pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit është e bazuar, dhe Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, sepse nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen. Duke marrë parasysh deklarimet e të dëmtuarit, dëshmitarit, dhe edhe të dhënave të siguruara me masat e veçanta hetimore, në vlerësimin e Gjykatës, në këtë
fazë të hershme të procedurës, pa paragjykuar rrjedhën e saj, është gjetur tani për tani ka lidhshmëri mes provave për të mbështetur dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Gjykata thotë se është plotësuar kushti për caktimin e paraburgimit, ngase ka arsye për tu besuar se me lënien në liri të të pandehurve, do të pengojnë rrjedhën e procedurës hetimore, pasi që të pandehurit në bazë të provave materiale, kanë vepruar si grup me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobive pasurore, andaj në këtë fazë ekziston rreziku se të pandehurit mund të ndikojnë në të dëmtuarin dhe dëshmitarët.
Gjykata, gjithashtu ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, si dhe duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale të detyrimit, ashtu që të pandehurit duke shfrytëzuar autoritetin dhe lidhjet që kanë pasur me të dëmtuarit në mënyrë të vendosur dhe në vazhdimësi detyrojnë të dëmtuarin të veprojë në dëm të tij.
Gjykata ka vlerësuar me kujdes të gjitha pretendimet dhe deklarimet e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre në seancën dëgjimore, mirëpo përfundimisht Gjykata konstaton se ka dyshim të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura, se ekziston rreziku i ndikimit në të dëmtuarin dhe dëshmitarë, e po ashtu duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë krye veprat penale, qojnë në vlerësimin e Gjykatës se masa e paraburgimit tani për tani është e domosdoshme”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Gjykata shton faktin se në rastin konkret asesi caktimi ose jo i masës së paraburgimit nuk duhet të nënkuptohet si sanksion penal për të pandehurit dhe se Gjykata anë rastin konkret nuk ka vlerësuar fajësinë apo pafajësinë e tyre, por vetëm ka shqyrtuar dispozitat ligjore mbi bazën e të cilave sigurohet prezenca e të pandehurve në procedurë paraprake/hetimore, dhe në rastin konkret masa e paraburgimit është masë adekuate dhe konkrete për prezencën e tyre dhe mbarëvajtjen e procedurës paraprake/hetimore të papenguar.
Gjyqtarja e procedurë paraprake ka shqyrtua edhe masat e tjera alternative për sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë përmes masës së arrestit shtëpiak (të propozuar dhe pretenduara nga mbrojtësit e të pandehurve në seancë dëgjimore), mirëpo ka ardhur në përfundim se asnjë masë tjetër alternative përpos paraburgimit për momentin nuk janë të mjaftueshme dhe të sigurta për sigurimin e prezencën së të pandehurve në procedurë, deri në sqarimin e rrethanave për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtin kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, e posaçërisht kur hetimore janë në fazën fillestare, sipas vlerësimit përfundimtar të Gjykatës masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme dhe do të siguroj zhvillimin e papenguar të fazës paraprake dhe hetimore”, thekson njoftimi.