Brenda pak orësh bëhen 24 orë që nga arratisja e të burgosurit serb Gjorgje Radomiroviq nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut dhe ende nuk është kapur nga Policia e Kosovës.
Radomiroviq ishte dënuar në vitin 2014 për vrasjen e një personi me kombësi serbe, M.V. nga fshati Leshak, si dhe për plagosjen e rëndë të vëllait të tij.
Ai ishte në fazën e fundit të vuajtjes së dënimit, me vetëm 3 vjet e 7 muaj të mbetur.
Policia ka ngritur pika statike kontrolli në të gjithë veriun e Kosovës dhe ka angazhuar njësitë specializuara me qen (K9) për gjetjen dhe kapjen e tij.
Në momentin e arratisjes, ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe punonte në hapësirat e punëtorisë së institucionit, duke qenë edhe në listën e të burgosurve që mund të përfitonin lirimin me kusht.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar arratisjen dhe ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore: janë pezulluar nga detyra drejtori i Qendrës së Paraburgimit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues. Ndërkohë, hetimet e brendshme janë në zhvillim për të zbuluar rrethanat e arratisjes dhe përgjegjësitë eventuale.
“Raportohet se nga Qendra Korrektuese në Mitrovicë Veri ka ikur i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka qenë duke vuajtur dënimin në këtë qendër. Njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit. Lidhur me rastin janë intervistuar zyrtarët korrektues dhe është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e PK-së, të lëshuar sot për media.
Qytetarët janë lutur që, nëse hasin në personin në fjalë, të lajmërojnë menjëherë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.
Arratisja e Radomiroviqit mbetet një çështje serioze e sigurisë dhe autoritetet janë ende në ndjekje të tij.