Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka zyrtarizuar marrëveshjen e re me përzgjedhësin e ekipit kombëtar, Franco Foda, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera.
Kontrata, e cila vulos qëndrimin e Fodas në krye të Kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, u nënshkrua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe vetë përzgjedhësi Franco Foda më 6 tetor, në ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar për ndeshjet e muajit tetor.
Sipas marrëveshjes, kontrata e Fodas parashikon vazhdim automatik në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian 2028, duke garantuar stabilitet dhe kontinuitet në udhëheqjen e përfaqësueses.
Franco Foda mori drejtimin e ekipit më 17 shkurt 2024 dhe deri më tani ka udhëhequr Kosovën në 17 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore, 2 barazime (përfshirë atë ndaj Rumanisë 0:0) dhe 4 humbje.
Ky bilanc e rendit Fodën ndër përzgjedhësit më të suksesshëm në historinë e përfaqësueses së Kosovës, ndërsa FFK shpreson që me vazhdimin e tij, Kombëtarja të arrijë objektivin madhor – kualifikimin historik në Evropianin 2028.